
Drejtori sportiv i Tiranës, Arbi Laçi është i pranishëm në mbledhjen e zhvilluar në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit para fillimit të sezonit të ri.
Laçi ndër të tjera, foli për sigurinë në stadiume teksa u shpreh se klubi bardheblu është dakortësuar me policinë që këta të fundit të qëndrojnë në ambientet jashtë impiantit "Selman Stërmasi". Ndërkohë, ai bëri me dije se brenda do të kishte polici private ku sigurisht do të sigurohej rendi dhe siguria.
"Unë mund t'iu bëj me dije që jemi dakortësuar me policinë dhe ata do të qëndrojnë përreth perimetrit të stadiumit. Brenda do të jemi ne, organizatorët që do të sigurojmë mbarëvajtjen e ndeshjeve brenda", tha Laçi.
Në këtë moment ndërhyri sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku i cili u shpreh: "Ajo që po thoni ju është e drejtë, megjithatë unë nuk jam i bindur nëse policia private mund të sigurojë një ndeshje. Ne nuk kemi një shkresë zyrtare. Gjithashtu "Selman Stërmasi" nuk i plotëson kushtet pasi nuk ka kamera sigurie, që mund të duhen pas ndeshjes nëse mund të ketë ndonjë incident", tha ai.
Laçi replikoi duke shtuar: "Për të mos e shndërruar në debat, unë dua t'iu sugjeroj që të njëjtat kushte që kërkohen për stadiumin tonë, të implementohen në të gjitha impiantet sportive në vend. Nuk mendoj dhe besoj që vetëm në "Selman Stërmasi" duhen kamera sigurie, por në të gjithë stadiumet e Superiores", përfundoi drejtori sportiv, Arbi Laçi.