
Përjashtimi 10-vjeçar i Skënderbeut nga Komisioni i Etikës ka nxitur reagime të shumta në vendin tonë. Disa mbështesin vendimin e këtij organi, ndërsa të tjerë kritikojnë mënyrën se si është vendosur për të dënuar klubin bardhekuq. Së fundmi ka reaguar Denion Ndrenika, zëdhënësi për shtyp i Prokurores së Përgjithshme Arta Marku. Ish-gazetari sportiv shkruan:
"Kur Partizani u dënua nga UEFA mbi bazën e një gjyqtari spanjoll të dehur për ndeshjen me Benfikën në 1986, nuk mbaj mend që ndonjë tifoz kundërshtar të ketë gëzuar. Ne tifozëve, domethënë tifozëve, na dhimbte shumë dënimi për atë 0-4 në Lisbonë sepse u shoqërua me disa vjet përjashtime për shumë lojtarë dhe madje vazhdoi edhe me Tit Ramadonin (11 vjet) pak më vonë për një ndeshje të kotë të "Shpresave" me Rumaninë. Ndonëse shumëçka në atë ndeshje nuk kishte qenë e duhura edhe për vetë Partizanin, pra sjellja e disa lojtarëve, gjithçka qartësisht ishte faj i gjyqtarit. Meqënëse merrja pak vesh nga sporti, doja sportin, gjeta në ATSH raportimin e gazetarit të saj në Lisbonë (Gëzim Sinemati ose Maks Sinemati dhe ndjesë nëse nuk i saktë cili prej këtyre vëllezërve) dhe më pas e botova bashkë me Bledar Kukën diku nga 1996 në gazetën tonë "Bota e Sportit" kur trajneri Neptun Bajko priste Portugalinë siç ishte dënuar me Partizanin në 1986. Sot, kur dënohet Skënderbeu thjesht po shoh se nuk ka më tifozë. Kjo është keqardhja më e madhe se sa vetë dënimi që vjen nga një trupë "e dehur" medemek vëzhguesish apo UEFA-istësh që kanë analizuar ndeshjet e korçarëve, mes të cilëve miku i ngushtë i një të dënuari për hajdutëri, spanjollit të federatës Vilar. Gjynah që na kanë ikur tifozët! Sepse, tifoz dhe kundërshtar është ai që të del në krah e jo ai që kënaqet me një zhvillim (edhe sikur të jetë i drejtë) i një skuadre aq më shumë të vendit tënd, e le më pastaj kur e ke pronarin a presidentin bastaxhi. E, në fund lutem të mos humbasë kohë duke u kthyer përgjigje tifozëve të patifozë apo tifozëve ngjyravecë e mburravecë. Se, kthej a jo përgjigje unë apo shkruan apo nuk shkruan dikush, syzëni nga inati fare cilimiqëror nuk çelet. Errësirë dynjaja. Hajde tung ngjyravecë mburravecë e mos harroni se nuk po them që Korça jonë nuk ka faj! (Le që sikur të kupton kush... Se, nuk e kam me ndonjë posaçërisht)", përfundon ai.