
Gugash Magani është një nga emrat më të përfolur në këtë merkato dimri. Trajneri peqinas tashmë ka lënë drejtimin e skuadrës së Teutës dhe momentalisht është pa ekip.
Sot, qarkulloi lajmi se ai ishte pranë marrëveshjes me kampionët e Kosovës, Trepça 89'. Madje bëhej fakt i kryer dhe në vijim pritej të prezantohej te skuadra kosovare.
Për këtë, newsport.al kontaktoi trajnerin Magani, i cili mohoi gjithçka që është shkruar teksa tha: "Nuk është asgjë e vërtetë. Është folur që unë do jem trajner i Partizanit. Sot u fol që do jem trajner i Trepçës. Por edhe njëherë iu them se nuk ka asgjë të vërtetë.
Unë iu konfirmoj që kam pasur kontakt me drejtuesit e Trepçës, por jo drejtpërdrejt. Kemi komunikuar në largësi dhe nuk kemi arritur asnjë akord", përfundoi për newsport.al Gugash Magani.