Edhe në Kosovë futbolli ka marrë dritën jeshile për të rinisur. Siç bëhet e ditur, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar klubet e futbollit që mund t’i zbresin ekipet e tyre në fushë për t’u stërvitur. Ministri i Shëndetësisë, Faik Hoti ka deklaruar:
“Futbollistëve u është lejuar stërvitja në pajtim me udhëzuesin e hartuar midis FFK/MSH/IKSHPK/ me qëllim që në qershor të mund t’i zhvillojnë garat nëse situata epidemiologjike shkon ne favor të kësaj. Gjatë majit lejohen vetëm stërvitjet dhe kjo vlen vetëm për futbollin”.
Edhe në Kosovë, futbolli është pezulluar prej muajit mars për shkak të Coronavirusit. Si në vendin tonë, rikthimi i aktiviteteve sportive është planifikuar të ndodhë në fazën e tretë të lehtësimit të masave, prej 2 qershorit.