
Nga Dritan Laci
Ajo që po ngjet me Partizanin këtë fillimsezoni te kujton atë skeçin e dikurshëm të Estradës së Tiranës “Golat” ku skuadra për të realizuar planin e fundit “zotohej” se do realizonte gola me hundë dhe gola me autogol.
Në fakt te Partizani i sotëm jo gola me hundë jo që s’ka por as me papuçe në gjuhën e tifozëve nuk duket të ketë, aq sa tifozëve u ka ardhur shpirti në majë të hundës për një gol që mjafton të mos vijë era gol por vetëm ama të përfundojë në rrjetë dhe të gjithë të thërrasin gol. Shterpësi të tillë në javët e para të kampionatit do të duhet të gjezdisësh shumë nëpër ligat e Evropës.
Është një rekord negativ i pahasur më parë për emrin e lavdishëm të Partizanit që do të duhet të gërmosh shumë për të gjetur një simotër kaq fatkeqe.
Aq sa për ti kthyer skeçit të famshëm të “Golave” as shoku Salush me zotimet e tij butaforike sureale për dikë që njeh lojën e futbollit, nuk do ta shpëtonte dot Partizanin nga humnera ku ka rënë. Se kush e ka fajin; faji duket se është bërë qyrk, por askush nuk do ta veshë.
Por le ti marrim me radhë. Megjithë shpresat dhe pritshmëritë e mëdha për një sezon të madh, Partizani dukej një hallvë e ftohtë që në merkaton e verës. Mund të themi që era e keqe e fekalizimit filloi të ndihej në klub që në ndeshjet e Kupës së Europës ndaj Botevit të Plovdivit të Bullgarisë, ku ekipi u dorëzua pa kushte në të dyja ndeshjet. Në atë moment ishim të gjithë spektatorë dhe nuk e kuptuam se pa mohuar forcën e bullgarëve, problemi më i madh na qenkërsh armiku brenda nesh.
Një ekip që kishte eleminuar një verë më parë Ferencvaroshin e famshëm hungarez, që kishte luftuar të paktën denjësisht me Salzburgun e madh të Austrisë, si ishte e mundur të nënshtrohej pa luftë me Botevin pa emër të Bullgarisë?!!
Nuk u desh shumë kohë për të kuptuar se brenda grupit të vjetshëm, ata që kishin marrë frenat e vërteta të ekipit, Moxhi dhe kavaleria e tij italiane, kishin filluar një valë spastrimi me moton “Tani Partizanin kampion e bëj unë”. Një valë që pse ta mohojmë qoftë edhe nga dëshira për ta prekur titullin e munguar kampion prej 23 vitesh, në fillim na pëlqeu.
Dhe me këtë shpresë largimet e boshtit të ekipit të vjetshëm, Torasas, Cetkovic, Ramadani, Mazrekaj e dikujt tjetër dhe premtimi Moxhian se do të zevendësoheshin me lojtarë kalibri më të mirë se ata që ishin, na bëri të besonim se ky do të ishte viti i duhur.
Por hallva filloi të ftohej shpejt te Partizani dhe po kështu edhe dyshimet që nisën të rriteshin nga mungesa e merkatos dhe po kështu emrit të trajnerit. Kur Skëndërbeu dhe Kukësi luftonin në Evropë, Partizani vazhdonte pushimet në bregdet, ndërkohë që u desh fillim i muajit gusht që të fillohej të mësohej ndonjë emër i veçantë në merkato. Dhe çfarë emrash se?!!
Lojtarë që do të luanin për një ekip që pretendonte të luftonte për titullin kampion, kur këta lojtarë të gjithë karrierën e tyre e kishin përshkuar në ligat inferiore të Italisë, me ekipe si Lupa e Romës, Racing i Romës, Pavia, etj.. ekipe surragato që militojnë në Serinë e katërt italiane që as në skedinë nuk do të guxoje ti vije.
Gabimi numër 1
Ky ishte gabimi numër 1 i merkatos verore të Partizanit. Të blesh lojtarë nga kategoritë inferiore të Italisë, që kanë luftuar gjithmonë për të zbritur apo për tu ngjitur nga Seria C në D apo anasjelltas, dhe ti sjellësh me qëllimin për tu shpallur kampion, në një kampionat që me gjithë hallet e veta, matrapazllëqet e me radhë, ka një ekip si Skendërbeu që brenda pak vitesh ka shkuar dy herë në grupet e Europa Ligë, kjo bie era amatorizëm mos them kumar nga ana e stafit italian që kontrollon aktualisht Partizanin. Për ti marrë me radhe… A mund të jetë Adorjan edhe pse na e kanë shitur një lojtar të dalë nga academia e Liverpulit, mbi nivelin e Sabien Lilaj të Skendërbeut që ka në këmbët e tij kush e di sa e sa minuta në Evropë? Me çfarë kam parë unë them që jo… A mund të jetë La Camera më lart se kolegu I tij Muzaka te Skendërbeu, që edhe ky ka mbi spaleta tituj kampionë dhe minimalisht ka provuar suksesin e kalimeve të tureve në Evropë?!! Unë them që jo. Pa dashur ti marr në revistë nderi të dhjetë blerjet e Partizanit të kësaj, kush nga ata bën diferencën nga lojtarët e Skënderbeut. Besoj jeni të ndërgjegjshëm që asnjëri prej tyre nuk bën diferencën, jo me Skënderbeun, por as me ekipet mesatare të Ligës.
Gabimi numër 2
Një nga gabimet më të mëdha që ka bërë stafi Italian I Partizanit gjatë kësaj vere, është largimi i një boshti lojtarësh të cilët njohin mendësinë ballkanase të futbollit. Seria C dhe D italiane nuk përbëjnë asnjë dallim cilësor në krahasim me atë që është kampionati shqiptar, për të mos thënë që është vulgu i futbollit Italian në tregun e manipulimit të ndeshjeve. Është më mirë të investosh dhe të marrësh një lojtar me mentalitet fitues nga Mali i Zi, Bosnje apo diku tjetër. Është më mirë të kesh një Cetkovic që bëri një paraqitje të mirë më Mladostin në Kupat e Evropës se sa një lojtar që e paguan 10 mijë euro në muaj, e ka cuar karrierën në nivelin më të ulët të kampionatit Italian, dhe nuk gjuan ndonjëherë në portë. Është më mirë një Torasa që nuk shënon, që luan në Ligën e Dytë të Argjentinës, por që krijon hapësira se sa një lojtar që paguhet 10 mijë euro për të shëtitur fanellën në fushë dhe që 45 minutat e dyta del gjithmonë nga fusha.
Gabimi numër 3
Ajo çka po konstatojnë në vazhdimësi specialistët e futbollit është mungesa e trajnerit. Partizani është I vetmi ekip në Ligën Superiore që ka një trajner de facto me letra, por nuk ka një trajner në fushë. Iuliano mund të ketë qenë një shkelqim në fushë me Juven, por si trajner është shumë më poshtë se trajnerët mesatarë shqiptarë. Një trajner që tregon se është këtu vetëm për shkak të lobingut të Moxhit, por që s’ka treguar asgjë më shumë se sa emri i lavdishëm që mbante dikur si lojtar. Një trajner që nuk di të lexojë lojën, që akoma nuk është i bindur për pozicionet e lojtarëve. Por mbi të gjitha që të acaron me të njëjtën fjali pas çdo ndeshje dështim “Luajtëm mirë, por goli do të vijë”. Nëse do të kishte sado pak ndershmëri në deje, Iuliano duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas ndeshjes me Lushnjën, ose dikush duhet ti thotë që bashkëpunimi ynë përfundon këtu.
Gabimi numër 4
A mund të ndërtohet një ekip i ri kampion në stilin e Moxhit me një bosht lojtarësh që në katër vitet e fundit nuk kanë fituar qoftë edhe një Kupë Shqipërie? Pra që u mungon mendësia kampione. Kush janë boshti?!! Trashi, Vila, Batha, Hoxha etj që tanimë quhen senatorët e ekipit. Ka dy mendime; ose këtyre të mësipërme në këtë merkato u duheshin shtuar elementeë që kanë mendësi kampioni, pra që kanë maturinë se si fitohet, ose projekti Moxhian për Partizanin kampion duhet ta kishte shpërbërë këtë bosht dhe të sillte elementë të suksesit. Në momentin kur ti nuk bën asnjërën as tjetër, përkundrazi këtij boshti që ka një cilësi të caktuar, i shton mediokritetin atëherë nuk është më dështimi i lojtarëve por vetëm I një personi që quhet Moxhi.
Gabimi numër 5
Nëse ka një gabim trashanik dhe përgjegjës absolut për atë që po ndodh te Partizani ky është Moxhi dhe besimi i verbër që i është dhënë nga Presidenti Demi. Përpara se të përplasë tavolinat pse lojtarët që ka zgjedhur nuk dinë të shënojnë gol, Moxhi ashtu si shoku Salush duhet të dalë dhe të bëjë autokritikë madje të shëndoshë jo sa gola do bëjë në ndeshjen e radhës, por të dalë dhe të thotë të vërtetën se çfarë po ndodh te Partizani, ku e ka Partizanin e tij kampion dhe çfarë përgjegjësish mban në fund të fundit. Këto përgjigje nëse nuk do të shërbenin sadopak për të lehtësuar shpirtrat e lënduar të tifozëve të Partizanit, do ti qetësonin të paktën në bindjen e tyre se ky Partizan edhe këtë vit nuk mund të jetë kampion dhe jo të jetojnë me një gënjeshtër që po zbërdhylët nga dita nga ditë. Moxhi dhe kushdo aty është i përkohshëm. Tifozët janë aty gjithmonë që nga viti 1946.
Partizani nuk është krijuar për të qenë hija e askujt. Partizani nuk është Juventus. As nuk pretendon lavdinë e e një ekipi tjetër qoftë edhe në Ballkan që ka arritur me meritë majat e Evropës. Partizani dhe tifozët e tij të shumtë dhe Moxhi besoj i ka parë me koreografinë e tyre, pretendon të jetë lider fillimisht në Shqipëri. Kush nuk e kupton dhe nuk e arrin këtë qëllim duhet të hapë krahun.
Moxhi një ditë mund të shkojë andej nga erdhi, tifozët janë ata që Partizanin nuk e kanë lënë kurrë vetëm. Nuk ka rëndësi se ku luan Partizani. Rëndësi ka fanella. Këtë duhet ta kuptojnë edhe ata futbollistë vendas që luajnë me Partizanin. Nuk janë të pazëvendësushëm. Të pazëvendësueshme janë ngjyrat, stema dhe lavdia që mban ky ekip.