Ditën e sotme janë mbyllur 16 sfidat e Kupës së Shqipërisë të vlefshme për fazën e 1/32-ve. Ndeshje mjaft interesante, ku kishte dhe shumë gola. Megjithatë skuadrat e kualifikuara për më tej janë vendosur, gjithashtu dhe ndeshjet e fazës së 1/16-ve.
Erzeni që mposhti Kuçovën 1-0 do të përballet në fazën tjetër me Valbonën e cila fitoi kundër Besëlidhjes. Fituesi i këtij çifti do të përballet në fazën tjetër me Dinamon.
Në krahun tjetër, Elbasani do të përballet me Ilirinë në fazën e 1/16-ve, teksa fituesi do të luajë kundër Teutës. Vllaznia është në pritje të fitueses së supersfidës Flamurtari – Besa, ekipe të cilat po luftojnë në Kategorinë e Parë për titullin kampion.
Në krahun tjetër, Apolonia do të luajë kundër Burrelit dhe fituesi i kësaj ndeshje do të luajë në fazën tjetër kundër Partizanit. Kukësi – Pogradeci është ndeshja tjetër në këtë fazë të Kupës, ndërsa Laçi pret në 1/8-at fituesin.
Fituesi i sfidës Bylis – Luzi do të përballet më tej me Tiranën, ndërsa Skënderbeu pret një prej Vorës ose Orikut. Në ndeshjen e fundit, Korabi do të përballet në këtë fazë me Kastriotin, teksa fituesi ndeshet me kampionët në fuqi, Egnatian.
Erzeni - Valbona / Dinamo
Elbasani - Iliria / Teuta
Flamurtari - Besa / Vllaznia
Apolonia - Burreli / Partizani
Kukësi - Pogradeci / Laçi
Bylis - Luzi / Tirana
Vora - Oriku / Skënderbeu
Korabi - Kastrioti / Egnatia