Dinamo fitoi ndaj Besës dhe siguroi kualifikimin për në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, por këtë triumf e “pagoi” shtrenjtë”. Kjo pasi Bekim Maliqi u dëmtua që në pjesën e parë ndaj kavajasve, duke u detyruar të linte fushën e lojës.
Padiskutim që ky dëmtim ka “alarmuar” dhe stresuar stafin e “Bluve” tashmë janë sy e veshë nga infermieria. Ditën e sotme lideri i dinamovitëve do t’u nënshtrohet edhe vizitave mjekësore për të mësuar shkallën e dëmtimit.
Në kampin “Blu” shpresojnë që futbollisti të mos ketë një dëmtim të ligamentit, pasi të qarat e tij në momentin e dëmtimit kanë krijuar idenë më të “keqe” te stafi i skuadrës. Nëse ka ndodhur më e keqja dhe futbollisti ka këputur ligamentin, atëherë minimalisht do të qëndrojë jashtë fushave për 6 muaj, çka do të thotë se mund të mbyllë sezonin para kohe.
