Egnatia nuk po përjeton moment të mirë. Në 4 ndeshjet e fundit ka vetëm 1 fitore, ndërsa sonte kundrejt Teutës rrezikoi shumë për t’u eliminuar nga Kupa e Shqipërisë (faza çerekfinale), barazimi pa gola, ndonëse kishin fituar 2 – 1 në transfertë ndeshjen e parë. Trajneri i Egnatias Edlir Tetova, hodhi më shumë “dritë” mbi situatën te rrogozhinasit:
“Kam provuar përpara ose vjet, që të luaj bukur, si në finale dhe gjysmëfinale. Kemi humbur për gjëra shumë të vogla. Për ne i rëndësishëm ishte kualifikimi, sot ishim me 5 mungesa. Goxha për ekipin tonë.
Ndërrimet i kishim të limituara. E kishim përgatitur ndeshjen, që të ishim gjithë kohës në fazën mbrojtëse. Besoj e punuam mirë, kishim mundësitë tona në tranzicion, 2-3 momente. Rëndësia më e madhe i takon kualifikimit.
Kemi marrë topa pas shpine në thellësi, në ato pak metra që kishim distancë nga zona 1 deri te portieri. I kemi marrë 2 topa prapa shpine, nuk tolerohej. Kjo vjen edhe nga forma e presingut, sidomos në krahun e djathtë.
Ku epërsia e Teutës me numrin 10 ishte gjithmonë e fokusuar nga e majta. Aty po krijonin problematikë goxha për ne. Ishim detyruar të kthenim Rodrigez si mbrojtës i pestë, për pjesën e markimit.
Pjesën e dytë rregulluam diçka, ishim më konkretë. Në pjesën e parë kishim edhe goditjet pa adresë. Për kontingjentin që ishte, jam i kënaqur me kualifikimin.
Te linjat anësore, presioni i Rodriges u duk, ishte me vonesë. Distanca që krijoi mbrojtësi i majtë i Teutës me ½ dhe futja e Maçollit mes dy mbrojtësva, krijonin një treshe. Këtu kishim problematikë, në formën e presingut të treshes përpara.
U munduam në ndryshimin e vendit, sigurisht i diktuar, i Rodrigez me Ruçin, por ishte e pamundur sepse numri 9 i yni në presion ishte pak vonë. Në pjesën e dytë pastaj mendoj se çdo gjë u ekuilibrua.
Për kontingjentin që kisha sot në dispozicion, kisha vetëm pjesën e linjës së sulmit për të ndërruar lojtarë. Ne kemi edhe ndeshje ditën e hënë, të rikuperoj ndonjë lojtar për të hënën. Kjo ndikoi. Për këtë ndeshja ishte e përgatitur për të qenë më poshtë. Për dy faktorë, për të mbrojtur rezultatin dhe për të ruajtur forcat”
