
Sot në orën 18:00 do të zbresin në fushën e lojës Egnatia dhe Dinamo për finalen e Kupës së Shqipërisë. Skuadra rrogozhinase dhe kryeqytetasit do të “përplasin brirët” sot në “Elbasan Arena”.
Në prag të kësaj finaleje të rëndësishme, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova ka dalë në konferencë për shtyp.
“Është një ogur i mirë për skuadrën, ku kemi ardhur tani te finalja e “vogël” për të tretin vit radhazi. Kjo është një kënaqësi e madhe për të gjithë ne, por falë punës jemi me meritë këtu ku jemi. Gjërat do të merren me radhë, nesër (sot) është një finale kundër Dinamos, një ekip që ka bërë mirë dhe është shumë i stabilizuar taktikisht.
Në futboll thuhet se finalet duhen fituar dhe duhet të jemi të kujdesshëm te kjo pjesë. Përderisa jemi në finale, janë dy ekipet më të mira, ndaj mendoj që nga të dyja ekipet do të jetë një lojë e kujdesshme.
Sezonin e kaluar e mbyllëm me dy trofe vitin dhe tani është mbrojtja që duhet të bëjmë. Mendoj se, të mbrosh një titull, është më e vështirë sesa ta fitosh. Megjithatë, çdo gjë ngelet për t’u parë nesër (sot).
Përveç Malotës dhe Ndrecës, pjesa tjetër e grupit është në rregull. Përderisa jemi këtu me këtë ecuri si në kampionat edhe në Kupë, atmosfera në ekip është shumë e mirë.
Një finale është pikante nga situatat apo detajet. Kush do të jetë në shumë i fokusuar, do të dalë edhe fitimtar nga kjo ndeshje”, u shpreh Tetova.