
Egnatia dhe Dinamo do të përballen mbrëmjen e sotme për të luajtur ndeshjen e vlefshme për finalen e Kupës së Shqipërisë. Supersfida që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, nis në orën 18:00. Në prag të këtij dueli ka folur drejtori sportiv i dinamovitëve, Luan Pinari.
“Atmosfera ka qenë e qetë, duhet ta pranojmë që na ka sjellë qetësi. Kjo sepse kemi arritur objektivin e Evropës, tashmë kemi Kupën e Shqipërisë. E kujtoj kur kam fituar Kupën me Dinamon, pasi kemi qenë në përiudhë të vështirë dhe e fituam Kupën. Besoj se do ta shijoj edhe si drejtues këtë trofe. Kam qenë kundërshtar me Tetovën në atë finale të shumë viteve më parë, madje ai gaboi. Shpresoj që të gabojë edhe sot.
Në fillimet tona kemi pasur këndvështrime të ndryshme me Ilir Dajën. Ai kishte mosbesim, ndërsa unë isha i bindur se në Kupat e Evropës do të shkonim. Tashmë jemi gati për të fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Kemi ardhur në finale dhe jemi në luftë për titull. Në fillim të sezonit mund ta quaja sukses këtu ku jemi, por tashmë duhet të fitojmë diçka”, është shprehur Luan Pinari.