Korabi nuk do të luajë më në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Edhe pse marrëveshja mes palëve u arrit vetëm pak ditë më parë, presidenti i Kukësit, Safet Gjici ka pranuar së fundmi se klubi dibran nuk iu përmbajt marrëveshjes ndaj dhe ai mori vendimin për të mos e lejuar të luante më në “Zeqir Ymeri”.
Ndërkohë, Korabit i ka mbetur edhe një ndeshje për të luajtur në shtëpi. Kalendari i javës së 18-të (sfida e fundit e fazës së dytë) e vendos ekipin dibran përballë Flamurtarit. Stadiumi se ku do të zhvillohet kjo ndeshje nuk është caktuar ende, por drejtuesit e klubit nga Peshkopia janë duke menduar për opsionet, ndonëse kjo ndeshje do të luhet më 22 dhjetor.
Duke qenë se Korabi nuk do të luajë më në “Selman Stërmasi” dhe as në “Zeqir Ymeri”, tashmë skuadra dibrane ka gati planin B, i cili në fakt është edhe më i përshtatshmi për ekipin që drejtohet nga trajneri Haxhiu.
Newsport.al mëson se, duke nisur nga faza e tretë e Superligës, e cila starton në shkurt të 2017-ës, Korabi do të luajë në stadiumin e Peshkopisë. Impianti sportiv i skuadrës dibrane është drejt përfundimit të rikonstruksionit dhe shumë shpejt do të jetë gati të mirëpresë ndeshjet që do të luajë Korabi në Superligë.