
Mbrëmja e djeshme ishte fantastike për futbollin shqiptarë. Plot 3 ekipe shqiptare do të luajnë në “Play Off” të Conference League. Përveç Partizanit, tashmë në këtë fazë janë kualifikuar edhe Ballkani i Ilir Dajës dhe Struga e Shpëtim Duros.
Për këtë sukses të skuadrave shqiptare në Europë ka reaguar edhe presidenti i FSHF-së Armand Duka. Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit ka uruar kampionët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për arritjet e tyre, ndërsa ka theksuar se Daja e Duro po tregojnë vlera të mëdha të trajningut shqiptar.
“Urime Ballkani dhe Struga!
Shumë përgëzime dhe për trajnerët Ilir Daja dhe Shpëtim Duro që arritën të dërgojnë dy skuadra të tjera shqiptare në fazën play-off të Conference League.
Puna e shkëlqyer që kanë kryer këta trajnerë në klubet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është në të njëjtën kohë një konfirmim i vlerave të trajningut shqiptar.
Së bashku me Partizanin, dëshiroj që Ballkani dhe Struga të arrijnë në fazën e grupeve dhe të sjellin emocione të mëdha për sportdashësit shqiptar.
Shanset janë reale, me shumë punë, sakrificë dhe impenjim maksimal ky objektiv do të bëhet realitet. Suksese të mëtejshme”, ka shkruar Duka.