
UEFA ka marrë vendimin përfundimtar për ndeshjen Rumani – Kosovë. Me vendim të UEFA-s, Kosova e ka humbur zyrtarisht ndeshjen me rezultatin 3-0.
Kujtojmë që ndeshja Rumani – Kosovë e zhvilluar në Bukuresht në kuadër të raundit të 5-të të Nations League u ndal në minutat e fundit. Shkak për këtë u bënë thirrjet anti-shqiptare, “Serbi Serbi” dhe “Kosova është Serbi”.
Pikërisht për këto thirrje raciste, kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani së bashku me lojtarët e tjerë lanë fushën e lojës për t’u mos rikthyer më e rinisur ndeshjen.
Kjo ka bërë që Shtëpia e Futbollit Europian (UEFA) të marrë këtë vendim drastik për Kosovën. Përveç humbjes 3-0 në tavolinë, Kosova është gjobitur edhe me 6 mijë euro.
Në krahun tjetër, Federata Rumune është gjobitur me 50 mijë euro dhe ndeshjen e radhës do ta luajë me dyer të mbyllura. Tashmë pritet që FFK-ja ta dërgojë çështjen në CAS, ashtu siç është paralajmëruar.
VENDIMI I UEFA-s:
Akuzat ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës:
Refuzimi për të luajtur (heqja dorë), Neni 27(1) dhe Neni 27(4)(a) në lidhje me Nenin 25.01 Rregulloret e UEFA Nations League
Sjellja e pahijshme e ekipit (kartonë të verdhë 5 lojtarë ose më shumë), Neni. 15(4)
Vendimi:
Apeli ka vendosur:
Të shpallë ndeshjen e UEFA Nations League 2025 ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Federatës Rumune të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, e luajtur më 15 nëntor 2024, si e braktisur nga Federata e Futbollit të Kosovës (e cila për këtë arsye konsiderohet se e ka humbur ndeshjen 3-0) për përgjegjësinë që ndeshja nuk luhet plotësisht (siç parashikohet në nenin 25.01 Rregulloret e UEFA Nations League).
Të gjobisë Federatën e Futbollit të Kosovës me 6000 euro për sjellje të pahijshme të skuadrës së saj.