
Dikur një lojtar i kombëtares së Kosovës dhe i shumë klubeve në Europë dhe kryesisht në Austri, Atdhe Nuhiu ka marrë rolin e rëndësishëm të ndihmëstrajnerit të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar vetë Federata e Futbollit të Kosovës përmes një mesazhi në faqen e tyre zyrtare.
"Në vazhdën e angazhimit të ish-futbollistëve të Kombëtares në role të ndryshme në Federatën e Futbollit të Kosovës, ish-sulmuesi ynë i njohur Atdhe Nuhiu është emëruar ndihmëstrajner i Kombëtares A.
Ky vendim i presidentit Agim Ademi vjen si pjesë e strategjisë së FFK-së për të përfshirë ish-lojtarët e Kombëtares në strukturat e ekipeve kombëtare dhe për ta përcjellë eksperiencën e tyre tek gjeneratat e reja.
Atdhe Nuhiu, me karrierë të suksesshme si futbollist, tashmë ka fituar përvojë edhe si trajner në skuadrën austriake SC Rheindorf Altach. Emërimi i tij në stafin e përzgjedhësit Franco Foda pritet të sjellë mundësi të reja për zhvillimin e tij dhe për sukseset e Kombëtares A.
Gjatë javës së kaluar, në pozitat e ndihmëstrajnerëve të Kombëtares U21 dhe U19 u emëruan Hekuran Kryeziu dhe Anel Rashkaj, derisa Samir Ujkani prej më shumë se një viti ushtron pozitën e zëvendësdrejtorit të Kombëtares A.”, shkruhet në faqen zyrtare të FFK-së.