Prishtina e Re u ngjit me bujë në Superligën e Kosovës, por problemet në kohë të shkurtër janë shtuar në masë. Ata numërojnë vetëm 9 pikë pas 14 javësh, e përkthyer me vendin e fundit në tabelë.
Kjo situatë e “zymtë” ndikoi edhe në dorëheqjen e trajnerit Shpëtim Babaj. Tashmë, bardheblutë jo vetëm që janë bërë me trajner të ri, fjala është për Qendrim Kida, por edhe kanë zyrtarizuar transferimin e mesfushorit Carlos Casap.
Lojtari rumun është 26 vjeç dhe kartoni i tij kushton jo pak, por 300 mijë euro. Në karrierë, Casapk ka fituar 2 herë kampionat rumun dhe Kupën.
"KOMUNIKATË ZYRTARE: Carlo Casap i bashkohet KF Prishtina e Re! KF Prishtina e Re ka nënshkruar me mesfushorin rumun Carlo Casap, i cili vjen si një përforcim i rëndësishëm për repartin e mesfushës.
Casap, 26-vjeçar, është rritur në akademinë e famshme Hagi në Rumani dhe gjatë karrierës së tij ka përfaqësuar klube të njohura rumune si FC Viitorul, Concordia, FCV Farul, FC Botoșani, duke grumbulluar përvojë të konsiderueshme në elitën e futbollit rumun.
Ai është dy herë kampion i Rumanisë (2016/17 dhe 2022/23), si edhe fitues i Kupës së Rumanisë në edicionin 2018/19. Në nivel të kombëtareve, Carlo ka zhvilluar paraqitje me grupmoshat e Rumanisë deri në U21.
Me përvojë, qetësi në lojë dhe aftësi organizative në mesfushë, Casap pritet të jetë një forcë e rëndësishme në objektivat e klubit tonë për pjesën e mbetur të sezonit. Mirë se vjen, Carlo!"
