
Ka nisur kampi katër ditor me futbollistët që shihen si kandidatë potencialë për t’u bërë pjesë e Kosovës në të ardhmen. Tekniku Franco Foda ka ftuar në këtë grumbullim futbollistë nën moshën 21-vjeç (U-21) nga klubet e Superligës së Kosovës dhe nga ato europiane.
Qëllimi i këtij kampi është që të vlerësohen nga afër aftësitë dhe potenciali i secilit futbollist të grumbulluar, por njëherësh që edhe ata të njoftohen me strategjinë dhe filozofinë e lojës së ekipit A, për të qenë sa më të gatshëm për ekipin përfaqësues.
Në stërvitjen e parë, e cila u zhvillua të dielën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” morën pjesë të gjithë futbollistët e ftuar me përjashtim të Drilon Hazrollajt, i cili nuk iu bashkua ekipit.
Skuadrës në grumbullim iu bashkua edhe portieri Miran Qela pavarësisht lëndimit që ka pësuar me klubin Munich 1980 në Gjermani.
Ndërkohë, për shkak të një problemi shëndetësor, përzgjedhësi Franco Foda mungoi në seancën e parë stërvitore, por ai do t’i bashkohet ekipit në seancën e nesërme, e cila zhvillohet në orën 11:00.