
Kombëtarja jonë në futbollin e të amputuarve ka humbur ditën e sotme në shtëpinë e saj "Shtëpia e Futbollit" ndeshjen vëllazërore me kombëtaren e Kosovës. Rezultati foli në favor të patriotëve tanë me epërsi 2-0. Kështu, mbyllet turneu i organizuar nga FSHF me mbikqyrjen e UEFA-s. Ky turne ishte në kuadër të një turneu rajonal ballkanik.
Kosova e mbylli kompeticionin me statistika të barabarta, 1 fitore dhe 1 humbje. Ekip kampion u shpall kombëtarja nga Bosfori, Turqia. Kupat u ndanë pas përfundimit të ndeshjes së sotme, në ceremoninë festive organizuar nga Fedearata Shqiptare. Ky turne tregon se futbolli është i të gjithëve dhe duhet respektuar kategoria e njerëzve me aftësi të kufizuara.
Deklarata zyrtare e plotë e FFK:
Turneu Ballkanik i Futbollit të Amputuarve përfundoi sot me ndeshjen e fundit mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila përfundoi me fitoren e ekipit përfaqësues të Kosovës, me rezultatin 2:0. Ky turne, i organizuar nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe në bashkëpunim me UEFA-n, ka promovuar një mesazh të rëndësishëm: futbolli është për të gjithë.
Ndeshja u zhvillua në “Shtëpinë e Futbollit” dhe, me këtë rast, Kosova e mbylli turneun me një fitore e një humbje. Golat për ekipin tonë i shënuan Burim Elshani në minutën e 12-të dhe Engjell Haxhikadrija në minutën e 25-të.
Turneu përfshiu gjithsej tri ndeshje, ku ekipi kampion u shpall Turqia, e cila triumfoi bindshëm ndaj Shqipërisë dhe Kosovës. Pas përfundimit të ndeshjeve, u organizua një ceremoni festive, ku anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu, ndau kupat për ekipet.
Ky aktivitet ishte pjesë e strategjisë së përgjegjësisë sociale, e cila promovon pjesëmarrjen në sport për të gjithë individët, pavarësisht sfidave që ata mund të kenë.