
Dy ndeshjet e fundit të javës së 18-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll kanë dhuruar emocione dhe gola të bukur. Skuadrat e kreut të tabelës, Drita dhe Ballkani e mbyllën sezonin dimëror me fitore.
Drita siguroi një fitore dramatike ndaj Feronikelit me rezultat 2-1, falë një goli në fund të Arb Manajt, ekzaktësisht në minutën e 92-të.
Skuadra mysafire nga Drenasi kaloi e para në epërsi në minutën e 12-të me një gol të shkëlqyeshëm nga distanca, të realizuar nga Leart Zekolli. Mirëpo, vendasit arritën të barazojnë në minutën e 55-të, kur Rron Broja shënoi nga një pozicion i vështirë për ekuilibrat.
Në minutën e 64-të, Drita humbi një mundësi të artë për të kaluar në epërsi, pasi Besnik Krasniqi dështoi nga penalltia. Megjithatë, Manaj vulosi fitoren për skuadrën gjilanase me një goditje të saktë me kokë , kur ndeshja po shkonte drejt fundit.
Me këtë fitore, Drita e përfundoi sezonin vjeshtor në pozitën e parë me 38 pikë. Ndërkohë, Feronikeli 74 mbetet në pozitën e fundit të tabelës me 11 pikë.
Kampioni në fuqi, Ballkani e mbylli vitin me një fitore solide ndaj Suharekës duke triumfuar 2-0. Orges Shehi e mbyll kështu vitin siç duhet.
Golin e parë për skuadrën kampione në fuqi e shënoi Lindon Emërllahu në minutën e 11-të me një goditje të fuqishme nga distanca. Ndërsa, rezultatin përfundimtar e vulosi Bleart Tolaj në minutën e 70-të me një gol nga afërsia.
Pas kësaj fitoreje, Ballkani renditet në pozitën e dytë me 33 pikë, duke mbajtur hapin me Dritën. Suhareka qëndron në vendin e pestë me 25 pikë.
'Albi Mall' Superliga e Kosovës tani hyn në pauzën e festave, ndërsa pritet me interes vazhdimi i garës në pranverë, kur skuadrat do të synojnë arritjen e objektivave të tyre.