
Një lajm i bujshëm vjen nga Kosova teksa në emisionin ‘Dueli Sportiv’ trajneri i Phoenix, Faruk Statovci, ka bërë një deklaratë të fortë. Drejtorit të Ballkanit, Omer Bunjakut, iu drejtua pyetja për të ardhmen e Ilir Dajës dhe sipas tij, Daja ka rinovuar me klubin siç edhe është njoftuar pak muaj më parë.
Por, Statovci ka ndërhyrë menjëherë duke ngritur dyshime se ai rinovim është gënjeshtër bazuar në deklaratën e vetë Dajës në ndeshjen e fundit të kampionatit.
“Ju e keni zyrtarizuar, por pas ndeshjes së fundit e pyetën Ilir Dajën në konferencë dhe tha se ‘sot jemi në festë edhe do të ulemi të bisedojmë me drejtuesit e klubit’. E la Ilir Daja të nënkuptohet që nuk është nën kontratë me Ballkanin. Tha që ‘do të ulemi 2-3 ditë të qetësohemi e më pas të diskutojmë me drejtuesit për të parë më tutje’. Nuk tha që ka kontratë.
Unë e di që s’ka kontratë Ilir Daja. Ai rinovimi ka qenë një film që ju ka ecur, por kontratë nuk ka. A do qëndrojë apo jo, nuk është 100% që do të qëndrojë. Unë po të them që nuk është e vërtetë që do të qëndrojë 100%”, tha Statovci.
Si njoftimi i rinovimit nga Ballkani, ashtu edhe deklarata enigmë e Dajës, të dyja janë fakte të dokumentuara që e bëjnë akoma më të paqartë këtë situatë. Ilir Daja është sensacion për secilin klub që kërkon majat e futbollit dhe pak kohë më parë ishte Tirana e Dinamo që tentuan të merrnin informacione për situatën e tij me suharekasit.
Nëse deklarata e Statovcit është e vërtetë, padyshim që klubi bardheblu fërkon duart duke qenë se janë në kërkim të një trajneri të ri për të rindërtuar skuadrën.