
Vedat Muriqi u ndëshkua me karton të kuq në sfidën që Mallorca u përball me Las Palmas. Sulmuesi i ngriti gishtin e mesit një prej kundërshtarëve dhe kjo bëri që arbitri të mos e kursente.
Në lidhje me këtë ka reaguar Muriqi në rrjetet sociale. 30-vjeçari ka kërkuar falje për gjestin e tij të ulët ndaj Jaime Mata. Ndër të tjera u kërkon falje e tifozëve për atë skenë, ndërsa shpehet i lumtur që skuadra siguroi fitoren 3-2.
“Dua të kërkoj falje me dorën në zemër për përjashtimin tim në ndeshjen e sotme. E di që sjellja ime nuk ishte e përshtatshme dhe ndjej thellësisht mungesën e respektit ndaj kolegut tim, Jaime Mata, dhe më vjen keq që tifozët kanë qenë dëshmitarë të një gjesti kaq të shëmtuar nga ana ime.
Pavarësisht asaj që ndodhi, jam shumë i lumtur me fitoren e ekipit. Çdo fitore është një reflektim i përpjekjes dhe punës së të gjithëve, dhe më mbush me krenari të shoh se si luftojmë së bashku në fushë”, ka shkruar sulmuesi i “Dardanëve”.
