Fisnik Asllani po kalon “formën e jetës” këtë sezon. Sulmuesi i Kosovës po bën mirë si me përfaqësuesen, por edhe në Bundesligë me ekipin e Hoffenheim.
Kjo formë e mirë po bën që disa ekipe të shfaqin interes për shërbimet e 23-vjeçarit. Skuadra më e fundit që ka kërkuar më shumë informacion për një transferim të mundshëm të shqiptarit, është Bayern Munich.
Klubi bavarez e sheh si të duhurin për repartin e sulmit, duke krijuar një dyshe të frikshme me Harry Kane. Ndoshta, me Asllanin në ekip, rotacionet për Kompany do të ishin më të sigurta sesa momentalisht, me Nicolas Jackson.
Megjithatë, Fisnik Asllani ka kontratë me Hoffenheim deri në vitin 2029. Kjo bën që Bayern të paguajë një shumë mbi 30 milionë euro, për të transferuar shqiptarin që po bën mjaft mirë.
Në 12 ndeshje këtë sezon me gjermanët, Asllani ka shënuar 6 gola e ka asistuar në 3 të tjerë. Gjithashtu, mbrëmjen e djeshme, sulmuesi shënoi në fitoren 0-2 të Kosovës përballë Sllovenisë, duke shkuar në “play-off” të Botërorit.
