Ditën e sotme janë luajtur dy ndeshje në Superligën e Kosovës, të vlefshme për javën e 11-të të kampionatit. Drita priti në shtëpi Prishtinën, teksa Malisheva luajti në transfertë kundër Ferizajit.
Supersfida mes Dritës dhe Prishtinës foli e gjitha për ekipin nga Gjilani. Drita ia doli që të merrte një fitore shumë të rëndësishme me rezultatin 3-0. Golat për “Intelektualët” u shënuan nga Krasniqi, teksa Dabiqaj shënoi dy të tjerët.
Me këtë triumf, Drita shkon në vendin e 3-të me 18 pikë të grumbulluara, madje ka 2 ndeshje më pak.
Në krahun tjetër, Malisheva barazoi 1-1 kundër Ferizajit në transfertë. Këta të fundit ishin me 10 lojtarë që nga minuta e 61’ kur Sadriu u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Hazrollaj shënoi për Malishevën në minutën e 93-të, teksa vendasit barazuan në të 100-tën me një penallti. Me këtë barazim, skuadra e Malishevës shkon në vendin e dytë me 19 pikë. Në krahun tjetër, Ferizaj me 14 pikë shkon në vendin e 7-të.