Përfaqësuesja e Kosovës U17 për Vajza ka arritur të marrë një pikë të rëndësishme në ndeshjen kundër Izraelit, duke barazuar 1-1 në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”. Kjo ishte ndeshja e dytë dhe e fundit e Kosovës në Grupin B4 për kualifikimet e Kampionatit Europian 2025.
Pas fitores kundër Kombëtares sonë të kësaj moshe me rezultat 3-1, vajzat e drejtuara nga trajnerja Sanije Krasniqi kryen paraqitje të mirë kundër Izraelit. Ato arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 73'-të, falë golit të Olsa Maqestenës. Megjithatë, Kosova nuk arriti ta ruajë avantazhin deri në fund, pasi izraelitet barazuan në minutën e 89'-të falë Dagan Bokobzës.
Pas këtij barazimi, Kosova kryeson grupin me 4 pikë, ndërsa Izraeli renditet i dyti me 1 pikë dhe Shqipëria jonë e fundit me 0 pikë. Kualifikimi do të vendoset pas ndeshjes së fundit mes Shqipërisë dhe Izraelit në këtë grup.Për Kosovën, rezultati ideal do të ishte një fitore e Shqipërisë ose një barazim minimumi. Por, edhe nëse Izraeli fiton, Kosova ruan shpresat për kualifikim, por vetëm nëse fitorja izraelite nuk është më e thellë se 3-1, pra me 2 gola diferencë, rezultati me të cilin Kosova mposhti Shqipërinë në ndeshjen e parë hapëse në "Elbasan Arena".
Pas ndeshjes teknikja Sanije Krasniqi u shpreh e kënaqur me angazhimin e vajzave dardane në lojë, por theksoi zhgënjimin për golin e pësuar në fund të ndeshjes.
“Sot kemi pasur një lojë mjaft të fortë me një kundërshtar shumë të fortë. Kishim raste si ne, ashtu edhe kundërshtari gjatë gjithë ndeshjes. Ka qenë një lojë me intensitet të lartë dhe shumë fizike. Fatkeqësisht, pësuam një gol nga distanca në fund. Sidoqoftë, jam e kënaqur me lojën, por jo edhe me rezultatin, sepse tani kualifikimi ynë në Ligën A varet nga ndeshja e fundit Shqipëri-Izrael.”, u shpreh Sanije Krasniqi.