Dy përballjet e sotme të vlefshme për javën e 16-të të Superligës së Kosovës u mbyllën në barazim.
Trajneri i ri i Ballkanit, Orges Shehi debutoi në aventurën e futbollit të Kosovës te suharekasit me një barazim 1-1 ndaj Ferizajt, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin në qytetin e Ferizajt.
Ballkani e gjeti avantazhin në minutën e 24-të përmes sulmuesit të huaj Walid Hamidit, por vendasit barazuan në minutën e 84-të kur çdo gjë po shkonte drejt 3 pikëve të para për trajnerin shqiptar. Abdeen Abdul ishte autori i golit që i mohoi suksesin në nisje Shehit.
Ky është barazimi i katërt radhazi për Ballkanin, që ka grumbulluar 27 pikë dhe mban vendin e tretë, por me 10 pikë diferencë me lideren Drita që e thëllon kështu shkëputjen me ekipin e Orgesit.
Ndërkaq, Ferizaj me këtë pikë, ngjitet në vendin e tetë me 17 pikë falë golavarazhit më të mirë se Dukagjini, që ka po ashtu 17 pikë dhe mban pozitën e 9-të.
Në përballjen tjetër, që u zhvillua në stadiumin “Liman Gegaj”, Malisheva dhe Feronikeli ndanë pikët në një barazim pa gola. Rezultati është një hap prapa për Malishevën në garën për kreun e tabelës, derisa Feronikeli 74, me këtë barazim, arrin në kuotën e 7 pikëve dhe dëshmon se nuk është dorëzuar për t’iu shmangur rënies nga elita.