
Korabi ka marrë dy ditë pushim pas turit të miqësoreve në Kosovë dhe Maqedoni. Skuadra zhvilloi për 13 ditë radhë përgatitje të ngjeshura dhe me volum të madh në Peshkopi, Prizren dhe Ohër, ndërsa nesër pritet që të dalin sërish në fushë. Ekipi po merr formë nga dita në ditë, ndërsa drejtuesit janë në pritje të një sulmuesi. Bisedimet kanë nisur me lojtarë ballkanas dhe të kontinenteve të tjerë, ndërsa pritet që këtë javë të zbarkojnë në Peshkopi.
Stadiumi - Drejtuesit e skuadrës, Naim Agolli dhe Selim Rusi, kanë vendosur fillimisht 100 mijë euro për nisjen e punimeve në stadiumin "Korabi", ndërsa sot do të ketë një mbledhje, e cila do të përcaktojë datën e nisjes së punimeve. Fondi do të jetë trepalësh, ku FSHF-ja do të japë ndihmesën e saj, gjithashtu dhe bashkia e qytetit. Ndërsa stadiumi do të jetë modest dhe i pranueshëm për të zhvilluar aktivitet skuadrat e çdo lloj kategorie.