
Para pak minutash është zhvilluar ceremonia e hapjes së punimeve për Shtëpinë e re të Futbollit Shqiptar në kompleksin "Dinamo".
Të pranishëm në këtë ceremoni ka qenë kryeministri Edi Rama dhe kreu i FSHF-së Armando Duka. Menjëherë pas Dukës, fjalën e ka marrë kryeministri Rama i cili është shprehur: "Uroj të marrë kuptim shprehja 'Shiu është bereqet'. Pavarësisht kushteve jo të favorshme, uroj të jetë një shenjë dhe një ogur i mirë për këtë projekt. Ky projekt tashmë është miratuar dhe do zbatohet. Jam këtu sot që t'iu largohem atyre zërave që thonin se po ndikoja në zgjedhjet e Federatës. Deri dje më thonin se doja të hyja në Federatë, ndërsa sot do thonë se nuk e dua më Federatën e Futbollit. Ky është një "mikro Coverciano", ku jo vetëm grumbullohet Kombëtarja, por edhe ku merret edukimi për sportin. Ky është një hap në ndërtimin e Parkut Olimpik. Më vjen keq si një ish-sportist i Dinamos që do zhduket ajo godinë e herozimave të së shkuarës, por ajo godinë nuk është më pjesë e Dinamos prej shumë kohësh. Këtu mungon Federata e Federatave që është ajo e futbollit. Kjo shtëpi e futbollit me mjediset dhe fushat përfundon pjesën e dytë të Parkut Olimpik. Mos më ngatërroni mua me zgjedhjet për Federatën Shqiptare të Futbollit", është shprehur Rama në fjalën e mbajtur në ceremoninë e hapjes së punimeve në kompleksin "Dinamo".