
Randal Kolo Muani kishte në këmbët e tij një nga rastet më të arta për t’i dhuruar Francës Kupën e Botës në finalen ndaj Argjentinës. Sulmuesi francez vetëm për vetëm me portierin nuk ia doli të dërgonte topin në rrjetën e argjentinasve, duke iu hequr “Gjelave” edhe trofeun e tretë në këtë kompeticion.
Në një intervistë për mediat franceze, Kolo Muani ka theksuar se ka peng atë rast dhe se urren që humbi një shanc të tillë, pasi jeta e tij mund të kishte ndryshuar nëse topi do të përfundonte në rrjetë.
“Ai çast mund të më kishte ndryshuar jetën. Fatkeqësisht ajo që ndodhi tani është histori, është një nga veçoritë e jetës. Kur pata mundësinë ta rishikoja atë veprim, kuptova se kisha shumë alternativa të tjera në dispozicion për të shënuar, por gjithçka rrjedh shumë shpejt në fushë dhe sot dua vetëm të shikoj përpara. Është pjesë e imja edhe nëse nuk do e harroj kurrë atë moment. Ishim në prag të fitimit të yllit të tretë. Nuk do të gënjej, e urrej atë moment”, ka nënvizuar sulmuesi.