Tomori po kalon një nga momentet më të vështirë në historinë e tij. Këtë sezon, skuadra beratase militon në Grupin B të Kategorisë së Dytë, ku pas 4 javëve të para, mban vendin e 9-të (parafundit), me vetëm 1 pikë të grumbulluar.
Forma aktuale, pra jashtëzakonisht e dobët, ka sjellë edhe reagimin e ashpër të tifozëve beratas. Këta të fundit “shigjetojnë” drejtpërdrejtë Bashkinë e Beratit, si aksionere të vetme dhe pronare të 100% të aksioneve të klubit.
Sipas një reagimi në rrjetet sociale, te një prej “Fanpage” të klubit të Tomorit, flitet për shifra të larta që Bashkia e Beratit duhet të investojë tek klubi i Tomorit. Sipas të njëjtit reagim, plot 29 milionë lekë, që pëfaqësojnë vetëm 21% të buxhetit, futen tek subvencionet. Megjithatë, kjo shumë për të mbuluar “shpenzimet e domosdoshme”, nuk po vendoset në funksion, as s’po përdorët, duke bërë që edhe lojtarët të mos marrin pagat rregullisht.
Gjithashtu, në reagimin e gjatë shkruhet se në listën e pagave të klubit të Tomorit, rezultojnë edhe persona, të cilët janë më shumë se të “dypunësuar” dhe figurojnë si punonjës në institucione të tjera. E njëjta faqe mbështetësish, e irrituar tej mase, bën apel për transparencë dhe përgjegjësi.
REAGIMI I PLOTË (FK Tomori):
Në nivelin organizativ, Tomori ndodhet ndoshta në pikën më të dobët të historisë së tij. Sot, klubi është shndërruar në një strukturë të mbushur me emërime partiake, ku pozicionet dhe përfitimet shpërndahen si qoka politike për të shpërblyer simpatizantë dhe klientë të pushtetit lokal.
Edhe ata pak njerëz që kanë mbetur me dashuri të vërtetë për klubin janë “blerë” përmes punësimeve apo përfshirjes në këtë "tepsi" të madhe me emrin Tomori.
Por kjo "tepsi" nuk gatuan më asgjë që i shërben askujt, përveç një dore të vogël njerëzish që e kanë kthyer në mjet përfitimi personal.
Ekipi që dikur përfaqësonte krenarinë e qytetit, sot është bërë një pasuri publike e privatizuar moralisht, e cila mbahet gjallë me para publike, por pa asnjë ndjenjë përgjegjësie publike. Në këtë qytet, ku mungon opozita dhe alternativa reale, gjithçka zhvillohet në errësirë dhe në heshtje.
Edhe ti që po e lexon këtë, je pjesë e problemit, sepse sa herë vijnë zgjedhjet, e ngre votën pa menduar dhe ia jep verbërisht atyre që na kanë vjedhur shpresën dhe dinjitetin.
Dikush mund të pyesë: “Po ti që shkruan me kaq mllef, a je partiak? A ke ndonjë hatermbetje?”
Jo. Nuk jam me asnjë parti politike dhe është gjëja e fundit që do të bëja të bëja fresk për njërën apo tjetrën palë.
Jam thjesht një qytetar që e do këtë ekip, një njeri që e ka ndjekur me pasion dhe dhimbje, dhe që ndoshta është i dënuar ta dojë përjetësisht Tomorin, pa marrë parasysh se në cfarë gjëndje ekipi ndodhet.
Fonde publike që avullojnë pa llogari
Sipas të dhënave zyrtare, shpenzimet për subvencione (art. 603) janë planifikuar në shumën 29,000,000 lekë, që përfaqësojnë 21% të buxhetit të programit AF102.
Këto fonde përbëjnë subvencionin për sh.a. “FK Tomori 1923”, ku Bashkia Berat zotëron 100% të aksioneve.
Transferimi i fondeve bëhet çdo muaj sipas kërkesave të paraqitura nga klubi për të mbuluar “shpenzimet e domosdoshme”.
Megjithatë, realiteti është dramatik: Tomori sot mezi arrin të paguajë rrogat e lojtarëve. Kjo tregon qartë se fondet po keqmenaxhohen, shpërdorohen dhe avullohen pa përgjegjësi.
Në krahasim me vitin 2024, subvencionet janë planifikuar me rënie, por kjo nuk është ngushëllim për qytetarët, sepse rreth 2% e buxhetit total të Bashkisë për vitin 2025 vazhdon të shkojë kot, për të mbajtur në këmbë një strukturë që nuk prodhon as sport, as vlera, as transparencë.
Këto janë para që i mungojnë çdo vit zhvillimit të qytetit, infrastrukturës dhe iniciativave që do të sillnin vlerë reale për komunitetin.
Një sistem që nuk kontrollon asgjë
Tomori ishte gjithashtu pjesë e listës publike të pagave, ku figuronin persona të punësuar në disa institucione njëkohësisht, shpesh pa qenë as të pranishëm në vendin e punës.
Por çfarë ka ndodhur që prej asaj kohe?
A ka ndryshuar gjë?
Vështirë të do e kisha ta besoja.
Në teori, ekziston Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni që duhet të garantojë mbikëqyrje dhe transparencë mbi përdorimin e fondeve publike.Por në praktikë, ky kontroll është bërë i padukshëm – heshtur përballë abuzimeve dhe i pafuqishëm përballë interesave politike që kanë kapur klubin.
Një institucion që nuk kontrollon, humbet kuptimin e ekzistencës së vet, dhe qytetarët kanë të drejtë të ndihen të tradhtuar.
Një apel për transparencë dhe përgjegjësi
Sot, Tomori është shembulli më i qartë se si një pasuri e përbashkët mund të shndërrohet në pronë të një grushti njerëzish, që përfitojnë ndërsa komuniteti humbet.
Në vend që të prodhojë energji, zhvillim dhe krenari qytetare, ky klub është kthyer në një tepsi që vetëm nxihet por nuk gatuan asgjë që i shërben askujt.
Nëse institucionet vazhdojnë të heshtin, atëherë problemi nuk është më vetëm te klubi por te gjithë sistemi që e lejon këtë rrënim të pandëshkuar. Në fund të fundit, humbja nuk është vetëm e Tomorit, por e krenarisë dhe dinjitetit qytetar të Beratit.
Kohë zgjedhjesh, ju ftoj të reflektoni në zgjedhjen tuaj, nëse ka ngelur ndopak "nervi qytetar" shpreheni aty ku duhet.

