Robert Lewandowski nuk është i kënaqur me trajtimin që po i bën Barcelona. Klubi ka marrë shumë kohë për t'i propozuar një kontratë të re, e cila ndryshe nga ajo e tanishmja, do jetë dukshëm më e reduktuar në aspektin financiar dhe sa i përket rolit të tij në skuadër, do të mbetej thjesht një rezervë luksi për trajnerin Hansi Flick.
Sulmuesi polak është i bindur se cikli i tij në Spanjë është drejt mbarimit dhe fakti që katalanasit janë vonuar shumë për t'u kujtuar, ka bërë që Lewa t'i komunikojë agjentit të tij për të dëgjuar ofertat, pasi interesimet nuk mungojnë.
Në Itali, Milan dhe Juventus luftojnë "kokë më kokë" për ta afruar në Serie A, ndërsa edhe nga Arabia Saudite dhe kampionati amerikan flasin për kërkesa për informacion për të kuptuar nëse ekzistojnë mundësitë që të hidhen në sulm për të arritur tek 37-vjeçari.
