
Klubi i qytetit të Sarandës, KS Butrinti luan takimin e radhës këtë fundjavë në Peqin. Ata luajnë kundër Shkumbinit për llogari të Kategorisë së Dytë, kategori në të cilën kanë vite që paraqiten.
Tifozët e klubit jugor janë duke u përgatitur që të bëjnë një udhëtim të largët në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës. Takimi me ekipin nga Shqipëria e Mesme është një sfidë delikate duke parë rivalin e fortë dhe ndaj tifozeria sarandiote pritet të jetë e shumtë për t’u kthyer në numrin e 12-të të skuadrës.
Tifozeria është organizuar që të motivojë lojtarët dhe synimi janë 3 pikët në kthim për në Sarandë. Fakti interesant është kërkesa e tyre drejtuar Bashkisë Sarandë. Grupimi i kërkon vënien në dispozicion mjete transporti si autobuza në mënyrë që numri i të pranishmëve të jetë sa më i shumtë. Gjithashtu, ata kërkojnë si kërkesë edhe ndihmën ekonomike në udhëtim si për shembull pagesë “free” deri në Peqin. Vendimi i takon institucionit, tani.
Tifozeria e klubit sportiv Butrinti është në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga Kryetari Oltion Çaçi, teksa thirrjet për t’u mbledhur janë përhapur gjithandej në qytet. Nuk ka dhe shumë ditë në dispozicion organi më i lartë i qeverisjes vendore për të marrë një vendim pasi Shkumbini-Butrinti luhet të dielën për Grupin B.