Klubi i Bylisit është vënë në qendër të polemikave pas një ankese zyrtare për aktivizimin e lojtarëve të ekipit të parë me skuadrën B në Kategorinë e Dytë. Kundërshtimi është depozituar nga Devolli në Federatën Shqiptare e Futbollit, duke kërkuar tre pikët në tavolinë pas barazimit 1-1.
Sipas pretendimeve, disa futbollistë që luajnë rregullisht në Superiore kanë kaluar limitin e 10 paraqitjeve me ekipin B gjatë këtij sezoni. Devolli argumenton se të paktën dy lojtarë kanë shkelur këtë rregull në ndeshjen e fundit.
Një tjetër shkelje lidhet me mosrespektimin e pushimit minimal 24-orësh mes dy takimeve, pasi disa lojtarë u aktivizuan një ditë pas sfidës me Elbasanin. Tashmë pritet vendimi i organeve juridike të FSHF-së për masat që mund të merren ndaj Bylisit.
