
Kategoria e Parë ditën e djeshme ka mbyllur ndeshjet e javës së 31-të të saj. Kështu Bylis dhe Elbasani morën fitore shumë të rëndësishme dhe vazhdojnë garën për titullin kampion, teksa diferenca mes tyre në klasifikim mbetet po 3 pikë.
Nuk ndryshojnë renditjen as 4 ekipet e “Play-Off”. Flamurtari mbetet në vendin e 3-të edhe pas humbjes me Bylisin, ndërsa po humbje mori edhe Vora ndaj Elbasanit. Këtë javë u mposht edhe Apolonia nga Luzi, teksa Korabi nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 me Besën e Kavajës.
Kastrioti mori fitoren e dytë rresht në kampionat, teksa këtë herë mposhti Tomorin. Një trium i rëndësishëm që i ngjit krutanët në vendin e 7-të me 36 pikë, 2 më shumë se Lushnja e cila u mposht nga Burreli, me këto të fundit që i barazuan me pikë. Besa mbetet në “Play-Out” me 32 pikë, ndërsa Luzi ndodhet në vendin e 11-të dhe ka ende shanse për të mbijetuar, pasi aktualisht janë 6 pikë pas Kastriotit, kur kanë mbetur edhe 2 ndeshje drejt fundit të kampionatit.
