
Pogradeci po kalon një formë mjaft të mirë në javët e fundit edhe pse rezultatet janë një fitore dhe katër barazime në 5 ndeshje. Megjithatë, shihet qartë që niveli i “liqenorëve” është rritur ndjeshëm.
Tashmë në vendin e 6-të dhe me 34 pikë, te Pogradeci kanë filluar të mendojnë seriozisht tek ngjitja në Superiore nëpërmjet “play-off”. Por, misioni mbetet i vështirë, kjo edhe falë kalendarit në 3 javët e ardhshme.
Skuadra e Pogradecit do të përballet me Erzenin, Burrelin dhe Besën e Kavajës. Shijakasit janë të “lehtë” në letër, por Burreli dhe Besa shihen si ekipe problematike.
Megjithatë, te Pogradeci kanë një organikë mjaft të pasur, lojtarë cilësorë të rinj dhe nga ata me eksperiencë. Zguro, Vokrri, Samake, Kasmollari, Raza dhe Alidemaj janë disa prej “xhevahirëve” të ekipit.
Sigurisht pa lënë pas pjesën tjetër të skuadrës, të cilët kanë dhënë kontribut mjaft të rëndësishëm deri tani. Janë pikërisht këta lojtarë, të cilëve Pogradeci u beson shumë edhe misionin “Superiore”.