Elbasani mund të quhet me plot gojë një ekip i Superiores në sezonin e ardhshëm, është thjeshtë çështje kohe. Megjithatë, verdheblutë duan vendin e parë dhe titullin kampion të Kategorisë së Parë për prestigjin që ajo ofron.
Rival direkt kanë Bylisin me të cilët vijojnë një luftë ‘dhëmbë për dhëmbë’ nga java në javë. Kanë mbetur vetëm 6 javë nga fundi dhe klubi merr një goditje që mund të ndikojë jo pak në ecurinë e skuadrës.
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka dënuar klubin me 4 ndeshje pa spektakorë për shkak fyerjeve dhe hedhjes së sendeve në fushë karshi lojtarëve të Lushnjes. Një dënim i tillë garanton të paktën 2 ndeshje ‘shtëpie’ me dyer të mbyllura.
Sipas kalendarit, Elbasanit i kanë mbetur vetëm 3 ndeshje në ‘Elbasan Arena’: Apolonisë, Vorës dhe Tomorit. Dy të parat do të zhvillohen pa tifozë, ndërsa me beratasit tifozët mund të kthehen nëse klubi paguan gjobën, që pritet të jetë kështu.
“Tigrat Verdheblu” i kanë qëndruar pranë skuadrës edhe në transfertat më të largëta, por numri i madh i tyre në shtëpi ka qenë një aset i jashtëzakoshëm që e ka bërë ‘Elbasan Arenan’ fortësën e pathyeshme për çdo ekip.