
Një situatë për të qarë e për të qeshur është ajo e portierëve te Tirana. Veterani Ilion Lika mori vetë vendimin në fillim të sezonit për t’i hapur rrugë portierëve të rinj që të marrin minuta e të zhvillohen në ndihmë të vetes së tyre dhe klubit.
Mirëpo, tani në mes të sezonit duket se nuk do ta lënë ‘rehat’ dhe është i detyruar të riveshë sërish dorezat e titullarit. Portieri i parë Gentian Selmani u dëmtua në kupat e Europës, i dyti Mustafë Abdullahu do të operohet dhe i treti Leon Kozi ka pësuar poashtu një dëmtim të rëndë dhe pritet të bëjë operacion.
Një situatë e padëgjuar më parë që të 3 portierët e skuadrës të dëmtohen për të mos qenë të gatshëm për një kohë të gjatë. Në këtë situatë, 43-vjeçari do të jetë mes shtyllave për Tiranën në 5 ndeshjet që do të zhvillojë në muajin janar deri në rikthimin e njërit prej Gentian Selmanit i cili pritet të nisë stërvitjen në fund të janarit.