
Interi do të përballet kundër Real Sociedad mbrëmjen e nesërme. Në ndeshjen e vlefshme për grupet e Ligës së Kampionëve, trajneri i zikaltërve në një intervistë për ‘SkySport’ mundohet të mbajë ekipin me këmbë në tokë.
Gjithashtu tekniku italian foli edhe për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani.
“Objektivi është të përjetojmë netët e sezonit të kaluar. Ne e dimë rrugën që bëmë, ndaj duhet t’i kemi parasyshë. Nesër rifillojmë kundër një kundërshtari me vlerë absolute. Vijmë nga një derbi i fituar, nga një periudhë e shkëlqyer. Por Reali është një ekip me vlera dhe ne do të duhet të jemi të organizuar”, është shprehur Simone Inzaghi.
-A do të luajë Kristjan Asllani në vend të të dëmtuarit Calhanoglu?
“Absolutisht që po, kam besim tek Asllani. Ai është një lojtar i rëndësishëm. E mbajtëm tek Interi edhe pse shumë ekipe e donin atë gjatë verës”, shtoi më tej tekniku italian për mesfushorin nga Elbasani.