
Korabi do të luajë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë pasi e mbylli këtë edicion në Superiore në vendin e fundit. Skuadra dibrane do të mbajë në organikë një pjesë të konsiderueshme të lojtarëve që kishte në sezonin sapo lamë pas. Newsport.al mësoi dje 11 futbollistët që drejtuesit së bashku me stafin teknik kishin vendosur të mbanin në skuadër, ku binte në sy mungesa e titullarit, Ervis Kaja. Ky i fundit ka dhënë sot një prononcim për neësport.al ku ka shpjeguar arsyen se pse ka refuzuar të jetë pjesë e dibranëve për edicionin e ri.
"Mua presidenti i Korabit, Fehmi Mëziu, më ftoi për të qenë pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ri. Sigurisht e mirëprita ofertën e tij duke qenë se kemi kaluar një edicion të vështirë së bashku, por objektivi im është të luaj në elitë mes skuadrave më të mira ndaj e refuzova duke i kërkuar të më mirëkuptonte. Dua të theksoj se kam oferta nga disa ekipe të Superiores, por për momentin nuk dua të zbuloj emra. Korabit i uroj suksese në Kategorinë e Parë dhe shpresoj që sezonin e ardhshëm të jetë përsëri mes më të mirave", ka përfunduar Ervis Kaja për newsport.al.