Tekniku i ri i Chelsea do të jetë Frank Lampard. Ai do ta udhëheqë ekipin deri në fund të sezonit pas shkarkimit të Graham Potter. Lampard përveçse ka luajtur me Chelsea edhe e ka drejtuar atë si trajner para se ta merrte drejtimin e skuadrës gjermani Thomas Tuchel.
Situata tashmë është shumë e vështirë te blutë e Londrës. Në kampionat janë shumë larg çdo objektivi dhe renditen të 11-tët. I vetmi objektiv mbetet Champions League ku do të kenë një përballje të fortë ndaj Real Madrid. Lampard e kupton rëndësinë e detyrës së re por shprehet optimist pasi e njeh terrenin ku do të punojë.
“Ishte një vendim i lehtë për mua, sepse ky është klubi im”, ishin fjalët e para të Lampard. Unë jam gjithashtu një person shumë praktik, kam marrë një rrugë tjetër që kur u largova nga Chelsea, por erdha përsëri këtu me besimin se mund ta ndihmoj skuadrën deri në fund të sezonit, është vërtet fantastike. Unë kam besim në veten time dhe e kuptoj mirë ekipin. Kam punuar me shumë prej tyre më parë. Dua të bëj më të mirën që të kem ndikim në klub”.