Arbër Abilaliaj ka dhënë një intervistë të gjatë për emisionin “Sport News” në News 24. Ai i ka prekur thuajse të gjitha temat që janë krijuar për të në rrugëtimin te Partizani.
Tekniku i kuq ka kontribuar në karrierë si për Tiranën, por dhe Partizanin ku ka kaluar më shumë vite. Vlonjati ka zgjedhur këto të fundit për pritjen dhe tifozërinë, që siç thotë e kanë në ADN të presin krahëhapur. Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë.
-Drejtor Sportiv apo trajner, kë status preferon më shumë?
Kështu si po duket, them i preferoj të dyja. E kam thënë edhe më përpara, jam profilizuar të bëj pjesën e drejtorit, por trajneri është një eksperiencë shumë e bukur, një adrenalinë shumë e madhe. Nuk mund t’i ndajë në këto momente, sepse jam sërish brenda futbollit, por profilizimi im, interesi im për të vazhduar shumë vite më vonë, është në rolin e drejtuesit
-Ku ka më shumë presion Arbër, cili pozicion është më i vështirë?
Nuk i ndan dot të dyja. Të bësh drejtorin duhet të menaxhosh nga fillimi në fund të gjithë situatat, hyrje-daljet, të kënaqurit, të pakënaqurit. Kurse pjesa e trajnerit është pak më e përqendruar, ke të bësh vetëm me futbollistët e tu, ata mund të jenë 20-22 dhe është e rëndësishme të menaxhosh këtë grup për t’i marrë më të mirën e tyre. Është pak më e përqendruar pjesa e trajnerit, ndërsa ajo e drejtorit është një pozicion më kompleks, duhet të menaxhosh situatat që janë brenda dhe jashtë fushe.
-Ishte e vështirë të pranoje këtë status “alla” Ferguson? A e imponuan rezultatet këtë detyre të re? 5 fitore radhazi nuk ishin pak, të gjithë pyesnin, për çfarë i duhet trajneri Partizanit?
Nuk ishte e vështirë, të them të drejtën. E kam thënë edhe më herët, te Partizani ndihem si në shtëpi. Që në momentin e parë që kam ardhur, përpara 6 muajsh, si shef skautimi, ishte një gjë që e mora me kënaqësi të madhe, duke marrë parasysh edhe profilin nga vija, çfarë kisha bëra, ishte mese normale, ndërsa detyra e trajnerit ishte një kënaqësi më vete. Unë e kam provuar edhe më përpara, por me ekipet e moshave, në një rol pak më ndryshe, si vëzhgues, por kjo gjë është një eksperiencë shumë e bukur. Emocionet që të dhuron 90-minutëshi në pankinë si trajner është diçka tjetër, është një emocion që nuk ta dhuron asnjë funksion tjetër, as ai i drejtorit, apo të menaxhosh ekipin gjatë gjithë vitit.
Çfarë diskutonit me drejtorin Rama apo me presidentin Demi atë periudhë, për çfarë po kërkonit më shumë?
Në aspektin e përmirësimit të ekipit, vazhdimësisë së procesit të rritjes së lojtarë, për këtë arsye zgjodhëm Zekic, një trajner më shumë eksperiencë, një trajner që një vit më parë u zgjodh trajneri më i mirë në Kroaci, kjo nuk është pak. Fakti që e sollëm këtu, atë së bashku me stafin, ishte pikërisht për këtë arsye, për të mos humbur kohë me teste të panevojshme, duke shkuar direkt në njerëz të provuar, kjo na ndihmoi shumë, mbi të gjitha në periudhën e verë, gjatë aventurës evropiane. Përzgjedhja e futbollistëve ka qenë më pas fokusi kryesor, për të ndërtuar një grup dinamik me lojtarë të rinj për të qenë në një kohë të shkurtër në vëmendjen e shumë klubeve, pasi shitja e lojtarëve është një nga synimet kryesore të klubit për t’u rritur akoma më shumë, për të arritur në një tjetër nivel, ky ka qenë fokusi. Më pas u gjetëm përballë një fakti që kishte interes për trajnerin Zekic. Për mua ekipi nuk ishte i ri, vendosëm në atë mënyrë që të kishim më shumë kohë, për më tepër gëzoj një marrëdhënie fantastike me lojtarët, më grupin, kuptohemi shumë mirë. Është e vërtetë edhe ajo që thoni ju, ndoshta edhe rezultatet na imponuan, rezultatet ishin të tilla që nuk na vendosën në ngut, na dhanë kohë të gjenim diçka më afat gjatë për klubin, në dobi të klubit, por duke pasur parasysh që rezultatet ishin pozitive vendosëm të vazhdonim në këtë linjë. Trajner në fund të fundit të mbajnë rezultatet, as emri e as e shkuara, kjo mbetet për t’u parë, deri tani gjërat kanë shkuar mirë
-A ishte Shehi realisht një pistë konkrete, a patët negociata konkrete?
Ku ka zë nuk është pa gjë, aq më tepër kur ka kaq shumë zëra. Unë e kam thënë, që jo vetëm Orgesi, por unë kam qenë në diskutime me 3-4 profile që mund t’i shërbenin Partizanit në ato momente, por duke pasur parasysh që jemi në mes të sezonit, duke qenë të kujdesshëm që të mos bënim lëvizje të jashtëzakonshme, pasi për ne garanci ishte ekipi. Gesi ka qenë një prej emrave, unë kam qenë në diskutime me të, por ka qenë një prej emrave, pasi këtu janë përmendur edhe emra të tjerë, të huaj, personalie të botës së futbollit. Opsione duhet të kesh shumë, pastaj vendimtarja është ajo që ndodhi, prezantimi im me presidentin Demi.
-E kishe menduar një ngjitje kaq të fortë dhe kaq të shpejt në karrierë, ky është maksimumi besoj, nuk është pak të jesh drejtor sportiv dhe trajner i Partizanit…
Nuk e kisha menduar asnjë herë të them të drejtën. As nuk e kisha të programuar, ishte diçka që erdhi natyrshëm. Unë isha i përgatitur në momentin kur më erdhi oferta për të qenë drejtor sportiv, për të ngritur një grup, një cikël fitues, ishte diçka e natyrshme. Unë nuk kam pasur asnjë herë në mendje për t’u bërë një trajner i zakonshëm apo një drejtor i jashtëzakonshëm. Mendoj që deri në këto momente, gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të karrierës time, mendoj që ka qenë momenti i duhur për ta bërë këtë lëvizje. Patjetër, kur vijnë dhe rezultatet e mira, gjërat e mira që janë të dukshme, gjërat më pas vijnë automatikisht. Pikësynimi dhe dëshira është ta bëjmë Partizanin një klub evropian, jo të ekspertojmë gjatë gjithë kohës lojtarë dhe trajnerë apo drejtues. Idetë i kemi shumë të mira, duhet pak kohë për t’i implementuar. Me drejtuesit ka pasur gjithnjë një marrëdhënie shumë të mirë, ka pasur një mbështetje të jashtëzakonshme për ta kthyer klubin në një nivel tjetër. Këtu kam parasysh jo vetëm lojtarët, ekipin, por edhe akademinë, investimet në infrastrukturë, mendoj që ky është projekti për 2-3 vitet e ardhshme.
-Arbër ju jeni një rast i rrallë që keni provuar gjithçka me dy klubet e kryeqytetit, si lojtar, si trajner, a ke qenë e vështirë kjo pjesë, sa e vështirë është të pranohesh nga ambienti, nga klubi nga tifozët?
Çdo klub ka ato karakteristikat e veta se si identifikohet. Unë kam qenë tek të dyja ekipet, si lojtar edhe si trajner, me Tiranën në nivele të ulta si trajner me fëmijët. Tani ku jam ndjerë unë më mirë? Patjetër, më ngrohtë dhe më i respektueshëm jam ndjerë në tifozerinë e kuqe, sepse kam kaluar 4 vite gjysmë të jetës time, kanë qenë vitet më të mira të karrierës time futbollistike. Tifozët më kanë pritur krahëhapur, pasi e tillë është në ADN tifozeria e kuqe, ndërsa Tirana ka karakteristikë tjetër, tifozët e ka më të vështirë për të pranuar, por gjithsesi, të dy tifozeritë janë shumë të mira, shumë të rëndësishme, por e përsëris, te Partizani jam ndjerë më mirë pasi kam kaluar më shumë vite.
-Cili ka qenë kujtimi më i bukur si lojtar, kur bëhet fjalë për një derbi, mqs jemi dhe në vigjilje të derbit?
Vitet që kam qenë me Partizanin kanë qenë më të bukura. Ka qenë viti im i parë, mos gaboj në 2005, ka qenë derbi Tirana-Partizani, luhej në stadiumin Dinamo. Unë luaja për herë të parë, ka qenë trajner Sul Starova mos gaboj, me një gol tim në pjesën e parë fituam ndeshjen 0-1. Kanë qenë një nga emocionet e mia të para që unë kam ndjerë vërtetë emocionet e derbit, kanë qenë emocione të jashtëzakonshëm. Në ato vite të dy ekipet gëzon një status të jashtëzakonshëm, kishin lojtarë shumë të mirë, edhe patjetër duke qenë një djalë i ri, isha 18 vjeç, nuk e kisha provuar më parë të luaja në Tiranë.
-Nga derbi dikur në fushë, në derbin si trajner, fituan ndeshjen e parë me Tiranën, çfarë ndjesie ishte, si është te fitosh si trajner, ku ka më shumë emocione?
Të them të drejtën nuk kisha ndonjë emocion të madh, kjo falë edhe karakterit që kam, i qetë. Isha më shumë i fokusuar se si do të luante skuadra, nuk është se kisha një impakt emocional për veten time. Ishte një përgjegjësi shumë e madhe, pasi ishte ndeshja e parë, ekipi e parë që merrja në Superligë. Të lush në një derbi përballë 12-13 mijë tifozëve, patjetër një kënaqësi e madhe, por të them të drejtën, emocionet në fushë kur isha vetë sportist kanë qenë më të mëdha.
-Ajo fitore në derbi hapi serinë e 5 fitoreve radhazi, nuk kishit presion, çfarë ndodhi, dukej sikur kishit në dorë “shkopin magjik”, formulën fituese…
Thjesht, qasja që kam pasur me futbollistët gjatë gjithë vitit, mbase ka qenë një qasje pak më ndryshe, ndoshta dhe kërkesat që kisha, mbase ishin më të qarta dhe më të thjeshta për t’u kuptuar. Patjetër duke i bërë lojtarët, grupin, edhe më të vetëdijshëm për forcën e tyre, duke i larguar ato dyshime të vogla që kishin. Mendoj që nuk ka qenë një “shkop magjik”, por ka qenë një proces natyral.
-Për ironi të fatit, sigurisht pak edhe për shkak të kalanderit, zyrtarisht si trajneri keni marrë dy barazime, u zbeh magjia, çfarë nuk shkoi si duhet, apo filluan edhe rivalët duke të studiuar më mirë…
Mendoj që nuk është kjo. Mendoj, që kundërshtarët e kanë pasur mundësinë të më njohin, ambienti është i vogël, nuk është e vështirë për të analizuar ndeshjet, plus kanë pasur 5 ndeshje për të më njohur. Mendoj që më shumë ka qenë një koincidencë pasi ndaj Egnatias, në ndeshjen e parë, e nisëm mirë, pastaj u ndërpre për atë që të gjithë e dimë. Më pas, në ndeshjen e dytë, ishim të detyruar të luanim në një situatë jo shumë të këndshme, e shumë probleme të tjera me lojtarët. Gjithsesi, përtej këtyre detajeve, ishte një ndeshje e mirë, ku të dy ekipet luajtën për të fituar. Unë e kam thënë, edhe ndaj Egnatias edhe ndaj Dinamos ndjej keqardhje vetëm që nuk arritëm të konkretizimin rastet e shumta të krijuara, por kjo është një gjë që nuk e ke shumë në dorë. Nuk është se prisnim të bënim 20 fitore radhazi, por e rëndësishme është që ekipi performon mirë, pëson shumë pak, jemi ekipi që ka pësuar më pak. E rëndësishme është që të mos mungojë esenca dhe struktura. Jemi të vetëdijshëm që nuk mund t’i fitojmë të gjitha, por të bëjmë maksimumin për t’i fituar
-Të dielën derbi i dytë në pankinë, çfarë ndeshje pret?
Pres një ndeshje me një dinamikë tjetër, një ndeshje të vështirë, pasi ekipet njihen mjaft mirë me njëri-tjetrin. Nga ana psikologjike duhet të jemi superiorë duke pasur parasysh edhe derbin e parë, por derbi është derbi, është një ndeshje që fillimisht duhet interpretuar dhe në fund fituar. Kur e interpreton mirë, ashtu siç duhet, ke më shumë shanse për të fituar, pastaj janë edhe episodet, fati, por këto janë gjëra që nuk i kontrollon dot.
-I besoni krizës së Tiranës, i keni studiuar? Si do ta luani këtë derbi?
Unë kam dashur që nga dita e parë që ky ekip të ketë një strukturë, të ketë një fill, një imazh të qartë, të jetë agresiv, të ketë dinamizëm, presion, pasi kemi futbollistë shumë të mirë fizikisht, lojtarë të rinj që mund ta bëjnë këtë. Mendoj që në pjesën më të madhe e kemi bërë mjaft mirë këtë, por me një kalendar të tillë ndihet edhe lodhja. Kemi lojtarë që kanë bërë afro 20-21 ndeshje deri më tani, nuk janë pak, por janë gati 5-6 lojtarë më kaq ndeshje, kjo është shumë, pasi janë më shumë se gjysma e kampionatit. Më vjen keq që nuk kemi pasur mundësi të bëjmë rotacion, pasi nuk i kemi pasur të gjithë lojtarët në dispozicion, janë 8-9 lojtarë që nuk kanë qenë, por jemi të detyruar të përballemi në këto kushte.
-Nuk duken shumë nën presion ekipet, sikur e kanë humbur pak atë magjinë, një ndeshje derbi një vit më parë vendoste titullin, tani luhet më shumë për statistikë?
Flitet shumë për skemën, për skuadrat a janë të motivuara apo jo, por te Partizani futet në fushë për ta fituar ndeshjen, sepse futbollisti apo ekipi nuk ndërtohet për të fituar një ndeshje, që mund të të vijë më 17 maj, pra të ndajë të bëhesh kampion apo jo. Patjetër që skema ka avantazhet dhe diasavantazhet e veta, me këtë të fundit që mund të humbasë kampionatizmi apo me ekipet që bëjnë një performancë shumë të mirë gjatë gjithë sezonit dhe në fund nuk mund të fitojnë titullin. Por në masën më të madhe, në 70% të saj, ekipet që tregojnë formë të mirë dhe strukturë të qëndrueshme gjatë gjithë sezonit, nuk kanë arsye pse të çedojnë në ndeshjet e fundit të Final 4. I tillë është sporti, në mënyrë të tillë funksionon, procesi i rritjes së ekipit dhe futbollistëve. Nuk mund t’u kërkosh lojtarëve që mos fitoni sot por nesër, nuk funksionon kështu, sepse vetëm dyqani hapet dhe mbyllet sipas dëshirë, ndërsa futbollistët duhet të performojnë mirë, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje, kështu që nuk besoj se ka nota tolerimi. Ka ekipe që kanë organikën e plotë, disa të tjerë jo, kështu që mund të ketë momente të ndryshme. Nuk dyshoj që futet ndonjë ekip në fushë dhe hajde se po e fitoj lehtë këtë ndeshje. Dhe në fund, ku bëhen llogaritë për pjesën e skemës, patjetër që mund të të japë një shans të dytë, por bonusin psikologjik, negativ apo pozitiv, nuk e kompenson asnjë lloj skeme. Kështu, që derbi apo çdo ndeshje tjetër e fortë luhet edhe për bonusin psikologjik, për rritje të vetëbesimit të futbollistëve dhe grupit
-Si është situata me dëmtimet Abilaliaj, po bëhet formacioni në infermieri…
Kemi mungesa të shumta në këtë aspekt. Mos gaboj, sot që po flasim janë 9 lojtarë, të cilët janë të gjithë të rëndësishëm, por në masën 95% do të jetë ekipi që u përball në ndeshjen e kaluar me Dinamon. Jemi totalisht besimplotë, sepse edhe paraqitja që bëmë në sfidën e fundit ishte pozitive dhe mendoj që duke shtuar edhe 10-20% që të jep atmosfera e derbit, besoj se ekipi do të jetë shumë konkurrent
-Tani po të pyes si drejtor sportiv, a do të ndërhyj Partizani në merkato, ku ka nevojë ky ekip të përmirësohet?
Kjo do të vendoset duke parë organikën që kemi, më së shumti nëse do të kemi ndonjë largim apo shitje të paprogramuar. Nëse jo, do të quheshin superbonuese nëse do të rikuperoheshin të gjithë lojtarët dhe nuk do të kishim nevojë për të tjerë. Nëse rikuperohen, mund të quhen 9 blerje për Partizanin, pasi do të ishim ekstra të dubluar në çdo pozicion
-Po në dalje Abilaliaj, te Partizani të gjithë e kanë një çmim, edhe trajnerët, kush mund të largohet, a ka oferta konkrete dhe në drejtim të kujt?
Ne vendosëm një standard, i hapëm rrugë kësaj pune. Është një treg dhe ndoshta edhe trajnerët që punojnë në Shqipëri do të jenë më të motivuar për të bërë mirë dhe për të shkuar pse jo në skuadra më të mira. Është një standard që na vjen mirë që e kemi vendosur ne, jo vetëm për trajnerin, edhe për futbollistët, të cilët nuk po ikin më me çmime jo normale të tregut. Shitje të programuara nuk ka, nuk është janari momenti më i mirë për të bërë shitje. Oferta ka në klub, janë më shumë se 2 apo 3, por do të shohim në fund të sezonit, madje ndoshta pas kupave të Europës, pasi për ne kompeticionet evropiane janë gjëja më e rëndësishme që kur e kemi nisur.
-Dua të mbyll me atë që e nisëm, ku e sheh veten më shumë Abilaliaj në të ardhmen, si trajner apo si drejtor sportiv, ku do fokusoheni më shumë?
Për momentin po më pëlqen edhe drejtori dhe trajneri. Mund t’i vazhdoj të dyja, trajner të mbajnë rezultatet, ashtu si edhe drejtor të mbajnë rezultatet, por për këtë të fundit përmbledhja bëhet njëherë në vit, kurse trajner je i detyruar të jesh në test çdo javë. Janë dy gjëra shumë të bukura, janë dy gjëra të cilat ndryshojnë pak nga njëra-tjetra, është kënaqësi duke pasur parasysh këtë grup futbollistësh që unë kam në përbërje. Besoj se kushdo që të ishte trajner do të donte të punonte me këtë grup, sidomos kur sheh progres javë pas jave, është gjëja më e mirë që mund të bësh për klubin. Pastaj në aspektin e drejtorit apo në atë të trajnerit e rëndësishme është që futbollistët të zhvillohen dhe të kenë ambicie të shkojnë në nivele më të larta. Kjo është më e rëndësishme në fund të sezonit.