Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 9-të të Superiores, lojtarët dhe trajneri fitues

Shkruar nga NEWSPORT
FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 9-të të
Formacioni i javes

Superiorja mbylli javën e saj të 9-të, e cila përkon edhe me fundin e fazës së parë të kampionatit, me ndeshje mjaft emocionuese dhe gola. Si në çdo javë të elitës së futbollit shqiptar, edhe këtë javë, “Newsport.al” ka përzgjedhur formacionin më të mirë, 11 lojtarët që ranë më shumë në sy, si dhe trajnerin më të mirë të javës futbollistike të Superiores që lamë pas.

Mario DAJSINANI (Egnatia): Një nga protagonistët e fitores së Egnatias ndaj Teutës përveç Albanese, ishte edhe Dajsinani. Gardiani mbajti të paprekur portën ndaj durrsakëve, duke treguar se jo më kot është edhe pjesë e Kombëtares shqiptare.

Bruno LULAJ (Elbasani): Është kapiteni i Elbasanit dhe si i tillë udhëheqi ekipin drejt fitores spektakolare ndaj Tiranës. Paraqitje fantastike nga mbrojtësi ndaj ish-skuadrës së tij, i cili ishte i pakalueshëm për kundërshtarët.

Bruno DITA (Dinamo): Ilir Daja është me shumë fat që ka në skuadër një futbollist si Dita. Mbrojtësi bëri çdo gjë në perfeksion në derbi ndaj Partizanit. Ishte një “mur” para portës së dinamovitëve, duke vendosur “veton” për sulmuesit e “të kuqve”.

Herald MARKU (Flamurtari): Është heroi i Flamurtarit në fitoren ndaj Vllaznisë. Bëri gjithçka siç duhet në mbrojtje edhe pse roli i tij në fushën e lojës është mesfushor. Pikërisht Marku shënoi edhe golin vendimtar të sfidës, duke i dhënë vlonjatëve edhe fitoren e parë sezonale.

Mohamed SANOGO (Bylis): Ballshiotët fituan 2-1 me Vorën edhe pse luajtën për më shumë se 60 minuta me 1 lojtar më pak. Mesfusha ishte e gjitha nën zotërimin e Sanogos, i cili thyente aksionet e kundërshtarëve dhe nxirrte ekipin para.

Fernando MEDEIROS (Egnatia): Të gjithë ne i dimë shumë mirë cilësitë e Fernandos. Një futbollist që shpik gjëra nga hiçi për të nxjerrë ekipin para dhe për të lënë “gjurmë” në ndeshje të rëndësishme siç ishte ndaj Teutës.

Higor VIDAL (Teuta): Pavarësisht se teuta u mposht, Vidal ishte një nga më të mirët në fushën e lojës. I palodhur në mesin e fushës, nxirrte ekipin para, duke ndërtuar aksione të rrezikshme, por për fatin e tij të keq, durrsakët u mposhtën bga kampionët.

Lorenc TRASHI (Flamurtari): Ishte futbollisti më i mirë i ndeshjes. Një lojtar i cili ishte i motivuar në maksimum për të siguruar fitoren e parë të skuadrës së tij. Bëri mirë si në mbrojtje edhe në sulm dhe padiksutim që meritë në fitoren e vlonjatëve ka edhe Trashi. I palodhur kudo nëpër fushë.

Alessandro ALBANESE (Egnatia): Ka marrë në dorë “frenat” e Egnatias në këtë sezon. Një tjetër gol vendimtarë shënohet nga këmbët e tij dhe që ka vlerën e 3 pikëve.

Dejvi BREGU (Dinamo): Tashmë jemi mësuar se ndeshje pas ndeshje Bregu po shpallet edhe futbollisti më i mirë i takimit. Pas ikjes së Itodos dhe Zabërgjas, duket se gjithë “pesha” ka rënë në shpatullat e sulmuesit. Bregu asistoi në golin e dytë të Dinamos në derbin kundër Partizanit.

Blaise TSAGUE (Elbasani): Ndaj Tiranës ishte thjeshtë fantastik. Shënoi 2 gola spektakolar në fitoren 4-1 të Elbasanit. Ivan Gvozdenovic po arrin t’i marrë më të mirën sulmuesit dhe jo më kot është kthyer në një lider te verdheblutë.

Trajner jave: Francesco MORIERO (Flamurtari): Vlonjatët arritën fitoren e parë në kampionat dhe ky triumf erdhi ndaj kryesuesve të Vllaznisë.

FORMACIONI I JAVËS së 9-të: Mario Dajsinani (Egnatia), Bruno Lulaj (Elbasani), Bruno Dita (Dinamo), Herald Marku (Flamurtari), Lorenc Trashi (Flamurtari), Higor Vidal (Teuta), Fernando Medeiro (Egnatia), Mohamed Sanogo (Bylis), Alessandro Albanese (Egnatia), Dejvi Bregu (Dinamo), Blaise Tsague (Elbasani). Trajner: Francesco Moriero (Flamurtari).

 

Poll

Lexo gjithashtu