
Ish-sulmuesi i Shqipërisë, vlonjati Florian Myrtaj i cili ka luajtur gjatë gjithë karrierës së tij në futbollin italian ka folur përmes një lidhje direkte për studion e "Procesit Sportiv" për sfidën që Kombëtarja kuqezi do të zhvillojë kundër "axurrëve" më 24 mars.
"Është një ndeshje shumë e vështirë për ne. Nëse do të luanim 2-3 muaj më parë, pra, para se të përballeshim kundër Izraelit do të ishim më shumë entuziastë kundër Italisë.
Megjithatë, entuziazmi nuk na mungon edhe në këtë moment. Të luash kundër Italisë është diçka e madhe. E kemi dashur gjithnjë këtë sfidë dhe tani vjen ky moment.
Shpresoj që lojtarët e Juventusit që aktivizohen me Italinë, në këtë ndeshje ndaj Shqipërisë të jenë të lodhur nga ndeshjet e tjera.
Italia ka një sulm shumë të mirë, edhe pse pak kohë më parë nuk ishin të tillë në ofensivë", tha Florian Myrtaj.