Atletico Madrid do të presë ditën e nesërme Interin në “Metropolitano” për të bërë mes tyre loogaritë e kualifikimit në çerekfinalen e Champions League. Kjo përballe do të startojë në orën 21:00, teksa dueli i parë mes tyre i zhvilluar në “San Siro” ka përfunduar 1-0 në favorin e zikaltërve.
Një ndeshje shumë e rëndësishme për spanjollët, të cilët janë të “dënuar” vetëm për fitoren dhe për kualifikimin. Në prag të këtij takimi ka folur Diego Simeone, i cili ka theksuar se Interi është një nga skuadrat më të mira në Europë, ndërsa Lautaro është një nga sulmuesit më të frikshëm.
Ndër të tjera ka deklaruar se ka besim të skuadra e tij dhe nesër është koha për hakmarrje ndaj italianëve.
"Interi kundërshtar i fortë? Çdo ditë opinionet ndryshojnë dhe rrjedhin nga ajo që shohim, ne nuk mund t’i mohojmë ato. Fjalët janë pak të dobishme, nesër kemi një ndeshje të rëndësishme kundër një prej skuadrave më të mira në Evropë.
A besoni te përmbysja? Po, kam besim të plotë te lojtarët dhe ekipi. Nuk ka shumë për të thënë, unë besoj 100 për qind te lojtarët dhe ekipi im. E di që do të jetë një ndeshje e shkëlqyer. Është një ndeshje që kërkon përqendrim shumë të lartë. Nëse ia dalim do të jetë një ndeshje e shkëlqyer.
Lautaro? Ai është një djalë i jashtëzakonshëm, ai e tregoi këtë te Argjentina dhe gjithashtu te Interi. Luan futboll që favorizon stilin e tij të lojës dhe është një nga sulmuesit më të fortë në Evropë.
Rikthimi i Griezman? E shoh si shokët e tjerë të skuadrës, padyshim që rikthimi i tij në ekip më jep më shumë zgjidhje dhe mundësi, në nivel taktik dhe gjithashtu gjatë ndeshjes.
Humbja 1-0? Është një ndeshje e drejtpërdrejtë, ata fituan 1-0 dhe diferenca nuk është e madhe, por është e rëndësishme, kundër një ekipi që është ndër më të mirët në Evropë. Ne kemi një ekip të mirë, kam besim te lojtarët e mi dhe do të luajmë një ndeshje të madhe, jemi gati për hakmarrjen”.