Ndryshe nga dita e djeshme e provave të Bakusë, sot Nico Rosberg me Mercedesin e tij është vendosur i pari në "pole position". Befasi për Lewis Hamilton, që vinte pas dy fitoresh radhazi, i cili duhet ta nisë garën e nesërme në Baku nga vendi i 10-të për shkak të një incidenti në pistë.
Për Çmimin e Madh të Europës që këtë herë zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit, Rosberg regjistroi kohën 1'42''758 duke lënë pas Sergio Perez që garon me Force India. Hamilton gaboi në sesionin e tretë të garës, pasi u përplas me muret mbrojtëse dhe bëri që Perez t'i rrëmbejë vendin e dytë.
Në vijën e dytë të nisjes do të jetë makina Red Bull e Daniel Riçiardo, që arriti t’i rrëmbejë vendin e tretë pilotit gjerman të Ferrarit, Sebastian Vettel, i cili do të niset i katërti. Gjermani Vettel la pas shokun e skuadrës, finlandezin Kimi Raikkonen në vendin e pestë, por dy makinat “kokëkuqe” ishin gati 1.2 sekonda më të avashta se Rosberg. Ferrari, ashtu si Perez e Riçiardo, përfitoi nga flamuri i kuq që u vendos nga komisarët e pistës pas aksidentit të Hamilton, 2 minuta e 5 sekonda nga fundi i sesionit të tretë të provave zyrtare. Nesër në orën 15:00, do të zhvillohet gara e Bakusë.