
Stefano Pioli është kritikuar masivisht pas humbjes së Milanit në “Derby della Madonnina”. Tekniku kuqezi është fajësuar për zgjedhjet taktike shumë të dobëta. Gjithcka po shkon keq për “Rossoneri” që pas përfundimit të Kupës së Botës. Milan nuk ka fituar në 6 ndeshjet e fundit në transfertë, përfshirë dhe derbin e djeshëm.
La Gazzeta dello Sport ka nënvizuar se vendimi i Piolit për të ndryshuar formacionin erdhi për shkak të frikës së tij. “Ai e zhvendosi formacionin nga 4-2-3-1 në një vendosje ekstreme 3-5-2. Një ndryshim frike, një zgjedhje që shpërfaq dorëzim”, shkruan gazeta.
Tuttosport gjithashtu preku ndryshimin taktik të Milanit dhe komenton që: “Ka mënyra e mënyra se si ta humbësh një derbi, ai zgjodhi më të keqen sepse ekipi që fitoi Scudetto-n nuk mund të luaj derbin si një ekip provincial”.
Corriere dello Sport është më konçize në qëndrimin e saj duke shprehur se Milani i Piolit “nuk është kurrë i rrezikshëm”.
Për Corriere della Sera, humbja në derbi është imazhi emblematik i gjendjes aktuale të Milan duke thënë se: “Kriza ishte dhe mbetet shumë e thellë. Me Torinon të premten, është e ndaluar të dështosh.”