
Slavia e Pragës ka fituar 3-2 me Ballkanin, për sfidën që vlente për raundin e dytë në grupin G të Conference League. Suharekasit kaluan dy herë në avantazh, duke mos mbajtur dot avantazhin dhe përmbysur qysh në pjesën e parë.
Krasniqi në të 23 minutë kaloi tanët në avantazh, për t’u barazuar nga një autogol i Frashërit tre minuta më vonë. Në të 29 Korenica do gjente golin e dytë për Ballkanin e Dajës, teksa sërish Olayinka në të 34 dhe Masopust në të 41 do vulosnin ndeshjen në 3-2.
Pas ndeshjes, për mediet trajneri i suharekasve Ilir Daja ka thënë se Slavia ka një eksperiencë të madhe, ndërsa nuk tërhiqen duke kërkuar mbështetje në ndeshjet e radhës në Kosovë.
“Ekipi më i mirë fitoi sonte. Ata kanë eksperiencë, kanë qenë në grupet e Champions League, kanë luajtur mirë me Interin, Barcelonen. Shpresoj që të gjithë sportdashësit kosovarë të jenë të pranishëm në Kosovë. Besoj se nuk kemi rënë nën presion sonte”, tha Daja.