Myrto Uzuni në ndeshjen e fundit ishte protagonist me skuadrën e Granadas, ku kjo e fundit u mposht nga Getafe me shifrat 2-0. Sulmuesi i kombëtares shqiptare humbi penalltinë në minutën e 59-të, duke mos mundur të ngushtonte shifrat.
Pas këtij rasti ka folur trajneri i Granadas, Aleksander Medina, i cili i ka dalë në krah beratasit. Timonieri i skuadrës spanjolle theksoi se penalltinë e kanë humbur edhe lojtarë të mëdhenj, por Uzuni nuk e gjuajti keq, po fati nuk ishte në anën e tij.
“Në historinë e futbollit botëror ka fenomenë që kanë humbur penallti dhe kjo i ndodhi atij dhe mund t’i ndodhë përsëri. Ai ka gjuajtur shumë, ka shënuar gola me një përqindje të lartë saktësie në gjuajtje, edhe këtë herë nuk e ekzekutoi keq, e gjuajti në krah dhe ajo që ndodhi ishte që u ndal nga shtylla.
Por nuk kam çfarë t’i them asgjë, janë situata që ndodhin në futboll dhe ne jemi në krah të tij. Duhet që t’i japim mbështetje, besim, si dhe të bëjmë autokritikë si kur gjërat nuk shkuan mirë në 45 minutat e para.
Këta janë futbollistë dhe e dinë në mënyrë perfekte kur bëjnë mirë apo keq, kur duhet të përmirësohemi dhe kur jemi në rrugën e duhur”, ka përfunduar Medina.