
Kapiteni i Francës, Hugo LLoris e pranoi se nuk e kishte aspak të lehtë të gjente fjalë për të ngushëlluar shokun e tij te Tottenham, Harry Kane, pasi “Gjelat” i eliminuan në çerefinalen e Kupës së Botës.
Sulmuesi i “Tre Luanëve” humbi njërën nga penalltitë përballë Lloris, me këtë të fundit që në konferencën për shtyp theksoi se Kane duhet të jetë krenar për atë çfarë ka bërë me Anglinë.
"Nuk ishte e lehtë të gjesh fjalët. Është një kohë e vështirë për kombëtaren e Anglisë dhe Harry-n. Patëm një mesazh pas ndeshjes. Nuk ishte e lehtë të gjeje fjalët. Atij i duhej pak kohë për të pushuar. Mendoj se ai duhet të jetë krenar për atë që ka bërë për kombëtaren. Në historinë e futbollit, shumë lojtarë kryesorë kanë humbur penalltitë në karrierën e tyre, Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, por nuk kam dyshim se Harry do ta mbajë kokën lart dhe do të ndihmojë Tottenhamin dhe ekipin kombëtar të shkëlqejnë sërish” , ka përfunduar gardiani i “Gjelave” në prag të sfidës me Marokun.