
Ish-kapiteni i Kukësit, dhe ndoshta sërish kapiteni i ri pas largimit të Malotës, Rrahman Hallaçi ka folur sot para shokëve të skuadrës gjatë mbledhjes së zhvilluar në zyrat e klubit për fillimin e punës të Kukësit për sezonin e ri.
"Duhet të sakrifikojmë dhe të punojmë të gjithë bashkë. Ne jemi një skuadër dhe duhet të sillemi si të tillë. Nuk duhet të gjejmë justifikime, por duhet të përpiqemi të gjithë bashkë. Presidenti ka sakrifikuar dhe investuar shumë dhe ne duhet të përiqemi që të ia kthejmë mbrapsht këtë investim", ka thënë Hallaçi.
Në mbledhjen e sotme mbrojtësi dhe kapiteni aktual Malota mungonte, çka bën të dyshosh për një largim të tij nga skuadra, ndaj dhe Hallaçi mund të rikthehet kapiten i skuadrës, status të cilin e humbi nën drejtimin e trajnerit Duro, të cilin e kundërshtoi për një zëvendësim.