
Fundi i kampionatit ka sjellë një rrëmujë të madhe me shumë të panjohura. 180 minuta para fundit askush nuk di se kush do të shpallet kampion, kush shkon në Europë dhe kush zbret nga kategoria bashkë me Korabin që e ka siguruar tashmë rikthimin në të parën.
Në Kukës luhet finalja e titullit me Skënderbeun që sfidon vendasit në shtëpi. Në Durrës finale mbijetese, në Vlorë po ashtu, në Tiranë luhet për të mos rënë dhe për Europën. Rrëmujë.
Partizani duket i dorëzuar për titullin ndërsa Korabi i ka ulur me kohë armët.
Deri këtu flitet për futboll… Nëse do të zhvillosh më tepër ekuacionet, në këto 180 minuta të fundit duhet të përfshish patjetër ata që do të gjykojnë. Në javët e fundit kemi parë që gjyqtarët ti japin pikë atyre që kanë më tepër nevojë, janë më të fortë në përballjen direkte apo kanë më tepër para.
Miliona lekë që qarkullojnë nga njëri qytet në tjetrin. Herë për gjyqtarët dhe herë për të motivuar kundërshtarin e kundërshtarit tënd apo dhe blerë lojtarë nga skuadra me të cilën do të përballesh në fushë. Kjo është skema e javëve të fundit në futbollin shqiptar.