Volejbollistja shqiptare, Erblira Bici, e cila militon në Serinë A2 në Itali, ka bërë një paraqitje të shkëlqyer ndeshjen e fundit. Bici ka shënuar plot 32 pikë dhe ka ndihmuar skuadrën të fitojë takimin me rezultatin 3-2.
Ndërkohë Federata Shqiptare e Volejbollit, i ka thurur elozhe volejbollistes me një postim që ka bërë më herët në faqen zyrtare në "Facebook".
"Volejbolli shqiptar po njeh një rritje të vazhdueshme kohët e fundit dhe këtë e konfirmojnë lajmet e mira që vijnë për lojtaret që militojnë në Europë. Njëra prej tyre është volejbollistja Erblira Bici, që militon në Serinë A2 të Italisë me skuadrën e Lpm Bam Mondovi. Fundjavën e kaluar (e 19-ta e kampionatit), ajo ka qenë shënuesja më e mirë e javës me skuadrën e saj, duke realizuar 32 pikë (3 pikë janë direkt nga shërbimi). Bici ka ndihmuar ekipin e saj të fitojë 3-2 ndaj rivaleve të Marignano.
Paraqitje që e ka evidentuar volejbollisten e talentuar shqiptare edhe në mediat italiane e më gjerë, që i kanë bërë jehonë kësaj paraqitje fantastike. Duartokitjet në adresë të volejbollistes së re shqiptare nuk kanë munguar gjatë gjithë takimit, duke u zgjedhur edhe si lojtarja më e mirë e kësaj ndeshje, një vlerësim për Bicin. Nuk kanë munguar edhe përgëzimet e skuadrës dhe trajnerit të saj, që e kanë vlerësuar me nota maksimale këtë lojë të shtatlartes shqiptare.
I gjithë ky sezon ka qenë mjaft pozitiv për Bicin, (qe nga fillimi i kampionatit ajo ka qene ne 10 pikeshenueset me te mira ne A2, aktualisht ne vendin e 4-rt), ndaj dhe FSHV-ja i uron asaj të tjera suksese në të ardhmen. Një volejbolliste që është dalluar kudo ku është aktivizuar, duke qenë një lojtare model në sportin shqiptar. Një kolonë e fortë e kombëtares së rrjetës, që me përvojën e fituar në Itali do të ndihmojë edhe më shumë ekipin kuqezi në arenën ndërkombëtare, në sfidat e ardhshme", shkruhet në faqen e FSHV-së.